Emigrantët duhet te deklarojne adresat për çdo banesë në pronësi/ Nëse kundërshtojnë, nuk marrin shërbime online të gjendjes civile

193
0

Ministria e Brendshme ka hartuar dhe hedhur për konsultim publik një projektligj, që sjell ndryshime në gjendjen civile, me fokus emigrantët, të cilët janë me leje të rregullt qëndrimi jashtë vendit apo kanë shtetësi të huaj,  duke shtuar shërbimet on line si dhe duke iu dhënë mundësinë të përditësojnë ndryshimet në gjendjen e tyre civile.

Konkretisht, në nenin 4, të projektligjit parashikohet detyrimi i shtetasve shqiptarë për deklarimin e adresës së çdo banese që kanë në pronësi brenda ose jashtë vendit, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit duke zgjedhur ndër to vendbanimin e tij.

Njëkohësisht në draft përcaktohet se shërbimi i gjendjes civile do të ofrohet për shtetasit pasi të respektojnë detyrimin e mësipërm, duke parashikuar si kusht detyrimin për të deklaruar adresën e çdo banese në pronësi të tyre sipas ligjit për adresat. Projektligji parashikoN se regjistrimi fillestar i vendbanimit sipas nenit 14 bëhet në zyrën e gjendjes civile të njësisë administrative që ka në juridiksion territorial banesën e deklaruar si vendbanim, duke përcaktuar njëkohësisht se shtetasi nuk mund të deklarojë më shumë se një vendbanim.

Sipas formulimit në pikën 2 të këtij neni parashikohet ndryshimi i vendbanimit që ka në juridiksion territorial vendbanimin e ri, jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në këtë vendbanim, duke përcaktuar se i njëjti afat zbatohet edhe për deklarimin e vendqëndrimit. Në pikën 3 parashikohet se një ose më shumë familje kanë të drejtë të banojnë në vendbanimin e një familje tjetër, vetëm kur plotësohen standardet e sipërfaqes së banimit për frymë.

Në pikën 4 parashikohen veprimet konkrete që duhet të kryejë zyra e gjendjes civile pas deklarimit të vendbanimit ose ndryshimit të tij pas paraqitjes nga shtetasi të dokumenteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi që i jep shtetasit të drejtën e përdorimit të banesës.

Në pikën 5 parashikohet një hallkë kontrolli administrative e vlerësuar e nevojshme në mbarëvajtje të këtij procesi që konkretisht i referohet veprimeve që duhet të kryejnë strukturat komunitare të njësisë administrative në juridiksionin territorial të së cilës është vendbanimi në lidhje plotësimin e standardeve të sipërfaqes së banimit për frymë dhe njëkohësisht të vërtetësisë së deklarimeve të shtetasve lidhur me vendbanimin e tyre. Sipas draftit, ky proces, i parashikuar për t’u kontrolluar më mirë i shërben zgjidhjes së problematikave të evidentuara për çështjet e adresave të shtetasve, që në raste të caktuara mund të rezultojnë të pavërteta, duke mos pasqyruar lidhjen reale të individit me territorin ku i ofrohen shërbimet publike, të cilat në vijimësi njoftojnë zyrën e gjendjes civile nëse konstatohet mosplotësim i standardeve dhe deklarim i rremë.

Drafti përcakton se dokumentet bazë që harton, mban dhe administron shërbimi i gjendjes civile, në mënyrë specifike janë akti i lindjes, akti i martesës, akti i vdekjes, vendimet e komisionit kombëtar për ndryshimin e emrit / mbiemrit, vendimet për korrigjim si gabim material të drejtorit të përgjithshëm, procesvebalet për bashkim dhe veçim familjar dhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, të cilat do të ofrohen online.

Elisabeta Dosku/ SCAN