Më 8 Shtator 2025 starton viti i ri shkollor. Ministria e Arsimit ka miratuar strukturën e vitit shkollor 2025-2026 ku përcakton se përfundimi i shkollës do të jetë më 12 Qershor.
Sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe të Financave mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në vend, do të nisë zyrtarisht në datën 8 Shtator.
Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit nga 22 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026, ndërsa pushimet pranverore janë caktuar nga 30 mars deri më 3 prill 2026. Urdhri përcakton gjithashtu edhe afatet se kur do të zhvillohen provimet kombëtare të klasave të 9-ta. Sipas vendimit të marrë, provimet kombëtarë të arsimit bazë do të zhvillohen ndërmjet datave 17-18 Qershor. Nxënësit do të testohen në lëndët Matematikë, Gjuhë e Huaj dhe Gjuhë Shqipe.
Në arsimin e mesëm të lartë, mësimet për të gjithë nxënësit fillojnë po ashtu më 8 shtator 2025 dhe përfundojnë më 12 qershor 2026, me përjashtim të maturantëve, për të cilët mësimi përfundon më herët, më 29 maj 2026. Edhe në këtë nivel, pushimet dimërore janë të unifikuara nga 22 dhjetor deri më 2 janar. Provimet e Maturës Shtetërore, që shënojnë përmbylljen e ciklit të mesëm të lartë dhe hapin rrugën drejt arsimit të lartë apo tregut të punës, do të zhvillohen gjatë gjithë muajit qershor, nga data 1 deri më 26 qershor 2026. Në arsimin profesional, struktura paraqitet më e detajuar për shkak të larmisë së programeve dhe moduleve të ndjekura.
Mësimi nis më 8 shtator 2025 për të gjithë nxënësit. Për klasat e 10-ta në të gjitha strukturat, klasat e 12-ta në strukturën 2+2 dhe për klasat e 11-ta dhe 12-ta në strukturën 4- vjeçare, viti përfundon më 12 qershor 2026. Ndërkohë, për klasat e 11-ta dhe 12-ta në strukturën 2+1+1 dhe klasat e 11-ta në strukturën 2+2, mësimi përfundon më 29 maj 2026. Për nxënësit maturantë të këtij cikli, mësimi përfundon më 15 maj 2026, duke u lënë vend përgatitjeve për provime. Pushimet dimërore në arsimin profesional janë të njëjta me nivelet e tjera: nga 22 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026.
Provimet kombëtare për përfundimin e arsimit bazë do të zhvillohen në periudhën 15–26 qershor 2026, duke shënuar një etapë të rëndësishme për orientimin e mëtejshëm të nxënësve në ciklin e mesëm.
Ndërsa për praktikën profesionale të kualifikimeve të nivelit IV, provimet do të mbahen nga 25 deri më 29 maj 2026. Maturantët e këtij cikli do të hyjnë në provimet e Maturës Shtetërore Profesionale në të njëjtat data me gjimnazistët: nga 1 deri më 26 qershor.
Ky urdhër i përbashkët vjen si një dokument standardizues për të gjithë sistemin arsimor parauniversitar, duke përcaktuar qartë detyrimet për institucionet publike dhe private në vend. Struktura e parashikuar synon të sigurojë organizim efikas të procesit mësimor, përgatitje të qëndrueshme për provime dhe shpërndarje të balancuar të periudhave të pushimeve.
“Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe të gjitha institucionet arsimore të sistemit arsimor parauniversitar. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, – thuhet në udhëzim.
STRUKTURA E VITIT SHKOLLOR 2025–2026
NË ARSIMIN BAZË:
a) Mësimet fillojnë më 8 shtator 2025 dhe mbarojnë më 12 qershor 2026.
b) Pushimet fillojnë më 22 dhjetor 2025 dhe mbarojnë më 2 janar 2026.
c) Pushimet fillojnë më 30 mars 2026 dhe mbarojnë më 3 prill 2026.
ç) Provimet kombëtare të arsimit bazë zhvillohen në periudhën 15–26 qershor 2026.
NË ARSIMIN E MESËM TË LARTË:
a) Mësimet fillojnë më 8 shtator 2025 dhe mbarojnë më 12 qershor 2026.
b) Për maturat, mësimet fillojnë më 8 shtator 2025 dhe mbarojnë më 29 maj 2026.
c) Pushimet fillojnë më 22 dhjetor 2025 dhe mbarojnë më 2 janar 2026.
ç) Provimet e Maturës Shtetërore zhvillohen në periudhën 1–26 qershor 2026.
NË ARSIMIN PROFESIONAL:
a) Mësimet fillojnë më 8 shtator 202.
b) Për nxënësit e klasave të 10-ta për të gjitha strukturat, nxënësit e klasave të 12-ta për strukturën, 2+2 si dhe për nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturën 4-vjeçare, mësimet mbarojnë më 12 qershor 2026.
c) Për nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturën 2+1+1 dhe për nxënësit e klasave të 11-ta për strukturën 2+2, mësimet mbarojnë më 29 maj 2026.
ç) Për të gjithë nxënësit maturantë, mësimet mbarojnë më 15 maj 2026.
d) Pushimet fillojnë më 22 dhjetor 2025 dhe mbarojnë më 2 janar 2026.
dh) Provimet përfundimtare për kualifikimet profesionale të nivelit II dhe III zhvillohen në periudhën 1–12 qershor 2026.
e) Provimet përfundimtare të praktikës profesionale të kualifikimeve profesionale të nivelit IV të KSHK-së zhvillohen në periudhën 25–29 maj 2026.
ë) Provimet e Maturës Shtetërore Profesionale zhvillohen në periudhën 1–26 qershor 2026.