Sokol Balla rrëfen se si rrezikoi jetën për një bluzë, me të frikshmin Altin Dardha

743
0

Nga Sokol Balla

Shqipëria përjetoi një tranzicion të çuditshëm në futboll, në vitet 1996 dhe 1997″>1997. Ndërsa vendi kapërcente një epokë të rëndësishme historike dhe futej në një muzg të rrezikshëm, futbolli paradoksalisht eci në drejtimin e kundërt. Në eliminatoret e Botërorit francez, Shqipëria regjistron rezultate të dobëta në ndeshjet e vitit 1996.

Humbje me Portugalinë dhe Irlandën e Veriut dhe një barazim modest me Armeninë. Po ashtu si gjithë shqiptarët, edhe futbollistët e kishin mendjet te paratë që mund t’iu merrnin bosëve të firmave piramidale.

Ngjarjet e vitit 1997″>1997, detyrojnë FIFA-n të marrë një vendim të pritshëm.

Stadiumet e Shqipërisë ishin kthyer në arena të pasigurisë, e ndonjëherë si në rastin e Lushnjës, të përleshjeve dhe ngjarjeve të përgjakshme. Dy ndeshjet e radhës me Ukrainën dhe Gjermaninë i luajtëm në Granada të Spanjës.

Me një ekip mercenarësh që luanin jashtë, për shkak se lojtarëve vendas nuk iu dha viza, Shqipëria i humb të dyja ndeshjet, megjithëse luan mirë. Por si për të vërtetuar edhe në futboll tragjedinë kombëtare, ndeshja me Ukrainën luhej më 29 mars 1997″>1997, pikërisht ditën kur një anije, Kateri i Radës, mbytej në kanalin e Otrantos, me mbi 100 vetë në bord.

Ishin ditë, javë e muaj të pasigurt për të gjithë. Në këto ditë lindi edhe revista “Klan”. Më kujtohet sesa e vështirë ishte rinisja e jetës për të gjithë ne.

Shtypi dilte nga gjendja e jashtëzakonshme, gjithashtu, pas censurës zyrtare të vendosur. Futbollit i duhej të kthehej në normalitet. Por nuk ishte e lehtë.

Dy ndeshjet e tjera, në shtator 1997″>1997, Shqipëria i luan sërish jo në fushë të saj. Më 6 shtator 1997″>1997, me Irlandën e Veriut në stadiumin e Grasshopper në Zyrih, u gjenda thuajse rastësisht. Duhet të shkoja në Kalkuta, në varrimin e Nënë Terezës, e cila ndërroi jetë më 5 shtator.

Kombëtarja, pikërisht në atë ditë, ndërmori udhëtimin treorësh me avionin Tupolev 124 të Albanian Airlines për në Jerevan. Të nesërmen kuqezinjtë përballen në Stadiumin Kombëtar të Jerevanit në një ndeshje që do të kthehej përmbys gati 19 vjet më vonë.

Humbim 0:3 me armenët e fortë dhe unë isha atje, në atë që do të kthehej një fiksim i pandreqshëm i imi për të udhëtuar me kuqezinjtë, një fiksim që përfundoi pikërisht më 11 tetor 2015, pikërisht në të njëjtin stadium, po kësaj radhe me fitoren tonë dhe rezultatin e njëjtë, por të përmbysur, 3:0.

Atëherë edhe Armenia nuk ishte ajo që gjeta në vitin 2015. E varfër dhe ende nostalgjike për Bashkimin Sovjetik, hoteli kryesor quhej “Armenia” (18 vjet më vonë quhej “Marriott” dhe ndryshe nga shtatori 1997″>1997, aty nuk gjeje më dhoma.) Edhe sheshi kryesor nuk quhej si sot “Armenia”, por sheshi “Lenin”.

Ekipi dhe tifozët shqiptarë ishin një eveniment i ngjashëm me Gjermaninë kur vinte te ne.

Shenjë se izolimi i tyre ishte disi më i madh se i yni. Armeni më i njohur i botës, Charles Aznavour, nuk e kishte zbutur dot imazhin e mafiozëve armenë që kontrollonin shumë sektorë të malavitës në Amerikë, me po të njëjtën këmbëngulje që paraardhësit e tyre ruanin një të katërtën e Jeruzalemit të vjetër.

Nuk harroj kurrë matrioshkat që shiteshin në çdo cep së bashku me të gjithë memorabiliat e mundshme nga koha e sovjetëve, si dhe urinë e paparë të armenëve për bluzat Umbro origjinale të Kombëtares sonë. Në hollin e hotelit, një armen, i cili më pa që rrija me lojtarët, m’u afrua dhe më ofroi pazarin më të çuditshëm për një bluzë të Kombëtares: dy femra për një natë të tërë.

Nuk di të them nëse ishte kjo ofertë apo ndjenja patriotike që më bëri të rivlerësoj vëmendjen time ndaj bluzës së Kombëtares.

Vetëm katër ditë më vonë, këmbëngulja për të pasur unë një të tillë, thuajse më rrezikoi seriozisht jetën dhe më bëri të njoh nga afër, pa dëshirën time, një nga personazhet më të njohur të botës së krimit dhe të legjendave urbane të vitit 1997″>1997.

TAKIMI I PARË ME SEPP BLATTER

Kombëtarja nisej po ato ditë për Zyrih për ndeshjen me Irlandën e Veriut. Ndeshja zhvillohej më datë 10 shtator dhe, po atë ditë edhe varrimi i Nënë Terezës, vetëm se 8,000 kilometra më në lindje, në Kalkutta.

I akredituar në të dyja eventet, por i pavendosur ende, u nisa për Zyrih me Swiss Air, i bindur se do kisha kohën e duhur për të marrë, ose avionin për Kalkutta, ose autobusin për në qendër të Zyrihut.

]Në Zyrih hezitova. Presidenti Mejdani mori rrugën e tranzitit së bashku me delegacionin. Diku rreth 20 metra më tutje, i vetmuar, ecte i kërrusur Sali Berisha.

Ajo pamje e trishtuar, që së bashku me funeralin më riforcoi aromën e keqe të vitit të mbrapshtë që po jetonim, më bëri t’u bashkohem karrocës gazmore dhe amorfe të gazetarëve sportivë, tifozëve të paktë dhe disa lojtarëve, drejt qendrës së Zyrihut.

Para ndeshjes, delegacioni iu drejtua selisë së FIFA-s. Libohova, Presidenti i asaj kohe i Federatës, na tha se do të takonim Sepp Blatter.

Sekretari i Përgjithshëm në atë kohë, një njeri energjik, pak më shumë se 60 vjeç dhe me ambicie të mëdha, ishte rritur nën hijen e legjendarit Havelange.

Braziliani ishte tërhequr në prag të Botërorit të Francës dhe gjithçka tani luhej në harmoni mes Blatter dhe Platini, Presidentit të Kupës së Botës në Francë.

Harmoni që i vazhdoi, si në një martesë të fortë, në ditë të mira, por edhe të vështira, të vitit 2015, kur të dy dorëzuan me turp detyrat e tyre në UEFA e FIFA. Por ato ditë shtatori, Blatter ishte në garë. Mbërritja e delegacionit shqiptar e gjeti në një mbledhje. Iu dorëzuam fatit dhe përfituam nga rasti për të parë muzeun e shkëlqyer atje si dhe kopjen Origjinale të Kupës së Botës.

Ndërsa bëheshim gati të dilnim, pamë një burrë që na ndoqi me vrap dhe na bëri thirrje të ndalnim: “Hey. Albania!”.

Ishte Sepp Blatter. Kishte lënë mbledhjen sapo e kishte marrë vesh mbërritjen tonë. Respekt? Dashuri? Korrektesë zvicerane? Ndoshta të gjitha këto por ndoshta edhe fakti se Shqipëria e vogël, ashtu si të tjerët, kishte një votë. Një votë që atij i duhej aq shumë.

Shqipëria ka treguar gjithmonë bujari në të tilla raste. Më tipiku ai i lobimit të saj që Kina të pranohej në vitet 50 në Kombet e Bashkuara, një iniciativë e ndërmarrë në Asamblenë e Përgjithshme nga Tirana zyrtare.

Një borxh që Kina e ka harruar sot. Siç ka harruar se edhe trajneri i saj i parë i huaj, ka qenë një shqiptar, Loro Boriçi.

Mirëpo Blatter ishte i një lloji tjetër. Ai nuk e harroi kurrë votën e Shqipërisë. Duke filluar që nga ajo natë.

Të nesërmen Shqipëria e drobitur nga ngjarjet e 1997″>1997, befas regjistron një fitore të papritur ndaj Irlandës së Veriut me një gol të bukur të Altin Haxhit.

Unë sigurisht nuk dija se çfarë ndikimi kishte pasur Blatter, por ai takim dhe fakti që luanim në Grasshopper pak kilometra larg zyrës së tij, pas disa gotave me uiski në hollin e hotelit të Kombëtares, të mbushur me lojtarë, gazetarë dhe tifozë me pamje të çuditshme dhe të frikshme “biznesmenësh” të miellit, të hurit e të litarit që jetonin në Zvicër, më bëri optimist për një rezultat pozitiv.

Të cilin, ishin të parët vetë lojtarët e Kombëtares, që nuk e besonin.

Afrim Tole, qendërmbrojtës qeshi më të madhe kur ia thashë. Dhe për herë të parë vura një bast që më mirë mos ta kisha fituar. Nëse fitonin, Tole duhet të më jepte bluzën e tij të ndeshjes. Pranoi, besoj, pasi askush nuk mendonte fitoren.

Ndeshja ishte një formalitet që duhej bërë. Pastaj të gjithë do iknin në shtëpitë e tyre.

Tole dhe Shulku drejt Tiranës, si të vetmit lojtarë që nuk luanin jashtë. Në dhomë me ta dhe me Foto Strakoshën edhe unë. Një suitë ku me bujari më ofruan krevatin, për të fjetur ata vetë në kolltukë e divane.

Të nesërmen në ndeshje ndodhi e papritura. Kur gjyqtari fishkëlleu fundin, të gjithë që ishim aty, ulëritëm nga gëzimi. Tribuna e shtypit ishte mbi tubin e xhamtë ku lojtarët hynë në dhomat e zhveshjes.

I ulërita Toles kur kaloi poshtë: “Mos harro bluzën në hotel”. Ngriti gishtin e madh lart. Ishte një “thumbs up” për një premtim që doli pas pak orësh, thuajse, me kosto fatale.

ALTIN DARDHA DHE BLUZA E AFRIM TOLES

Lojtarët shqiptarë rrinin në hotel, por masat e sigurisë nga zviceranët ishin të ulëta. Autoritetet ishin indiferente sepse ndeshja nuk kishte qenë me Zvicrën. “Çunat” që jetonin e punonin atje, kishin akses tek dhomat e lojtarëve, dhe ata njerëz si të gjithë, vulnerabël ndaj dashurisë së tifozëve dhe të pamundur të refuzonin “miqësinë” e një pjese jo edhe aq të butë të tyre.

Spazma e një fitoreje të papritur dhe avujt e alkoolit pa fund, të qerasur nga kushedi kush që kishte aq para, sa të ishte indiferent se po qeraste mbi 100 tifozë të dehur, nuk e shuan dot kujtesën e bastit të fituar. Ngjita katet e hotelit deri tek dhoma e Afrim Toles.

Por ai nuk e hapi derën.

Nga brenda ndjeja zëra, kështu që këmbëngula. Herën e tretë, trokitja u zëvendësua me një goditje jo edhe aq të lehtë të derës.

Ajo u hap në çerekun e saj dhe fytyra e zbehtë e Afrim Tolës më nxori pak alkoolin: “Bluzën”- i thashë- “dhe hajde pi ndonjë gotë poshtë se dukesh i mërzitur”.

Pa nga brenda dhe më kërkoi të vija më vonë. Atëherë i thashë të më jepte bluzën që më kishte premtuar sepse kisha fituar edhe bastin.

Sërish i shqetësuar më tha të kaloja më vonë. I thashë që nuk largohesha pa bluzën, e shtyva lehtë dhe u futa në dhomë. Përveç një lojtari tjetër të Kombëtares, edhe ai dukshëm i stresuar, ishin edhe dy persona të tjerë.

Si gjithmonë i vëmendshëm ndaj detajeve, më bëri përshtypje njëri prej tyre, i shkurtër, me kaçurrela dhe me sytë thuajse çakërr. I përshëndeta me indiferencë dhe u ktheva nga Afrimi: “Bluzën”.

I djersitur më tha me gjysmë zëri se duhej t’ia jepte dy “të njohurve” të tij që i kishin ardhur në dhomë. “Afrim, – i thashë me ton të ngritur më shumë nga alkooli, sesa nga premtimi i pambajtur i tij, – nuk më rr… hiç. Bluzën ma premtove mua të parit”.

Kur mbarova këto fjalë, ndjeva një lëvizje të lehtë, por nervoze, të dy djemve në kolltuk, ndërsa dora e majtë e syçakërrit rrëshqiti në heshtje drejt rripit të mesit në pjesën e pasme të xhinseve të ngushta lara-lara.

U ktheva dhe e pashë, thuajse me inat, “shemrin” e panjohur të bluzës sime. Buzëqeshi lehtë dhe iu kthye Afrimit: “S’ka gjë Tole, jepja, se unë gjej një tjetër”.

Unë mora bluzën me numrin 3 dhe ika i lumtur poshtë për të vazhduar “whiskey party”.

Pas mesnate, gazmor dhe i zhurmshëm, trokita sërish në derën e dhomës së Afrimit, për të shijuar orët e pakta të gjumit, pak para nisjes nesër, për në Tiranë. Kësaj radhe dera u hap, e gjitha, në trokitjen e parë, ndërkohë që, papritmas, një palë krahë të fuqishëm më tërhoqën me forcë brenda dhe një Afrim aspak miqësor, por i trembur dhe në panik më ulëriti në fytyrë: “Desh na vrave, o i çmendur!” Më liron dhe lëshohet në kolltukun më të afërt. “Nuk di si shpëtuam. Personi që i more bluzën në atë formë ishte Altin Dardha”.

Dhe si në filmat thriller, kur personazhit në fund i kalojnë parasysh me shpejtësi gjithë ditët e jetës, mua më kaluan gjithë sekondat e atyre pak minutave të takimit të rastësishëm me njeriun më legjendar, më kriminel dhe më gjakësor të undergroundit shqiptar: shtati i shkurtër, kaçurrelat, sytë që nuk ishin çakërr, por me ngjyra të ndryshme, sepse njëri ishte artificial, dora te pistoleta në brez dhe buzëqeshja prej të marri që iu vulos në fytyrë, ndoshta, sepse pa tek unë një person që nuk ia vlente ta vriste, ose ndoshta për shkak të respektit që kishte për bastet (një prej tyre e kishte fituar ndërsa u thoshte shokëve se mund të shtinte me pistoletë nga 900 metra larg, barkun e një shtatzëne që po kalonte në urën e gurit në Berat pak muaj para “takimit” tonë në Zyrih).

Sigurisht që aty ku kish ardhur me identitet tjetër, për t’iu fshehur hakmarrjeve të shumta që kishte lënë në Shqipëri. Pas këtij filmi të shpejtë që më kaloi para syve, alkooli avulloi në çast. Në dhomë pllakosi heshtja.

“Pjesë nga libri “Loja që ndryshoi Shqipërinë”