Avokati përgjigjet/ A mund të shmanget deportimi i një emigranti nga Amerika?

549
0

Rubrika “Çeshtje të Emigracionit”: Avokati Kieran Both u përgjigjet pyetjeve të lexuesve

Këto ditë, nga një lexues i Ilirisë, na ka ardhur kjo letër:

“Unë jam shtetase e SHBA. Burri im erdhi këtu 12 vjet më parë, pa vizë. Ne kemi 8 vjet martuar, por unë nuk paraqita ndonjë aplikim për të sepse më thanë se ai duhet ta lerë Amerikën me qëllim për të marrë green card, më pas. Javën e kaluar e arrestuan. Burri im nuk është kriminel, por  megjithatë tani është vënë në procedurë deportimi. Ne kemi dy fëmijë të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe nuk do të jemi në gjendje të mbijetojmë pa praninë e tij , sepse unë vetë nuk jam në gjendje të punoj. Taksat i kemi paguar rregullisht dhe  jemi njerëz të mirë. A mund të bëhet ndonjë gjë për ta shpëtuar burrin tim nga deportimi?

Anonim nga Sterling Hights, MI

 

Përgjigje

Kohët e fundit nuk kalon asnjë javë pa njoftime për arrestimin dhe ndalimin e emigrantëve pa dokumenta, si në vendin e tyre të punës ose thjesht në shtëpi. Disa prej këtyre njerëzve kanë banuar në SHBA për një periudhë të gjatë kohe dhe kanë krijuar tashmë dhe familje, por megjithatë, DHS synon t’i deportojë ata. Lexuesit tanë na kanë kontaktuar shpesh rreth “rasteve 10 vjeçare”. Shumë njerëz na kanë pyetur nëse mund të aplikojnë për ndonjë lloj statusi ligjor të emigracionit, edhe pse nuk kanë hyrë në SHBA ligjërisht ose kanë dalë jashtë statusit duke qëndruar përtej periudhës kohore të lejuar nga viza e tyre. Këto janë çështje shumë të komplikuara dhe shumë nga këta individë janë subjekt i ndalimit dhe largimit (deportimit) nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS).

Gjithësesi, një nga aplikimet  në rastet e pranisë fizike dhjetëvjeçare në SHBA quhet “Anulim i deportimit”(Cancellation of Deportation)

 

Të qënit i ligjshëm për anullimin e deportimit.

 

Një emigrant pa dokumenta mund të jetë i ligjshëm për të kërkuar anullimin e deportimit nëse ka qënë  prezent në mënyrë të vazhdueshme , të pandërprerë, në SHBA për 10 vjet e më shumë.Gjithashtu duhet të provojë se ka qënë person me një karakter të mirë dhe nuk ka kryer asnjë lloj shkelje ligjore për të cilën mund të jetë dënuar. Së fundi, aplikanti duhet të provojë se deportimi i tij nga Amerika do të shkaktonte vështirësi ekstreme për familjen e tij. Bashkështortja(prindi ose fëmia e tij) duhet të jetë shtetas amerikanë ose rezident permanent, që u referohet si “qualifying relative”.

 

Prania fizike dhjetëvjeçare

 

Një aplikant, që kërkon të çlirohet nga deportimi, duhet të dëshmojë se ai ka qenë fizikisht i pranishëm në SHBA për një periudhë të vazhdueshme prej së paku 10 vjetësh. Prania e vazhdueshme fizike përfundon me marrjen e një njoftimi  nga Emigracioni (A Notice to Appear ,(NTA) për t’u paraqitur për procedurën e largimit  dmth deportimit nga Amerika.

Prania fizike merr fund gjithashtu kur një aplikant nuk është prezent në  SHBA për më shumë se nëntëdhjetë ditë në 1 udhëtim jashtë, ose 180 ditë në total. Shërbimi i njoftimit nga ana e Emigracionit  për t’u paraqitur për të filluar procesin e deportimit, ndërpret periudhën 10-vjeçare, po ashtu dhe  kryerja e një vepre të caktuar penale .

 

Karakteri i mirë moral

 

Një aplikant që kërkon anulim të deportimit  duhet të vërtetojë se ai ka manifestuar një  karakter të mirë moral për 10 vjet. 10 vitet e nevojshme me qëndrim të mirë moral llogariten  që nga data në të cilën kërkesa është gjykuar nga gjyqtari i Emigracionit ose Bordi i Apelimit të Emigracionit (BIA). Edhe nëqoftëse aplikanti nuk ka kryer  krime që konsiderohen të  turpshme moralisht, ai përsëri është i përgjegjshëm për shkelje të tjera ligjore, jo aq të rënda. Një përcaktim përfundimtar bëhet në bazë të tërësisë së rrethanave. Shembuj të tillë përfshijnë mospagimin e detyruar financiar të fëmijëve,mospagimi i taksave mbi të ardhurat, shkeljet e mëparshme të ligjeve Emigracionit,mashtrim në dokumenta për të përfituar benefite të ndryshme. Gjykatësi mund të kërkojë shlyerje të të gjitha detyrimeve , për periudhën 10vjeçare,veçanërisht pagimin e taksave,për çdo vit. Aplikanti me t’u pajisur  me autorizimin e punës, ai merr edhe SSN(numrin e punës) dhe bën pagimin e taksave te prapambetura në mënyrë të përpiktë.

 

Vështirësi të jashtëzakonshme për familjen e emigrantit me deportimin e tij.

 

Në kërkesën për anulimin e deportimit, aplikanti duhet të jetë në gjendje të tregojë se gjendja e tij personale përputhet me kërkesat ligjore në  lidhje me përcaktimin e veshtirësive të jashtëzakoshme (për familjen e të deportuarit) dhe se rrethanat e tij meritojnë një vendim të favorshëm nga qeveria e SHBA. Nuk ka përshkrim specifik të “vështirësive të jashtëzakonshme apo ekstreme “, dhe gjyqtari ka fuqinë të vendosë nëse situata është e tillë. Aplikanti duhet të jetë në gjendje të tregojë se pasojat që mund të pësojnë të afërmit e tij janë më të ndryshme nga një person tjetër në të njëjtën situatë. Gjykatat e emigracionit kanë vendosur në rastet e kaluara se parashtruesi duhet të tregojë se bashkëshorti, prindi ose fëmija i tij, do të pësojnë vështirësi që janë në thelb përtej asaj që zakonisht pritet të rezultojë nga dëbimi i aplikantit. Standardi për të provuar vështirësitë është shumë i lartë, por është fleksibël dhe nuk ka rregulla specifike që mund të sugjerojmë. Ligji i emigracionit liston 14 faktorë që mund të merren parasysh për të karakterizuar situatën për famijen si ekstremisht të vështirë(extreme hardship). Mosha e aplikantit, mosha e familjarëve të aplikantit, aftësia e tyre për të folur gjuhën amtare të aplikantit dhe aftësia e tyre për t’u përshtatur me jetën në vendin e aplikantit, gjendja e tyre shëndetsore aftësinë e aplikantit për të gjetur një punë në vendin e tij, ndikimin financiar në jetën e  familjes së tij nëse ai dëbohet prej ketu; shkollimi i fëmijëve nëse ai  dëbohet, ndikimin psikologjik në familje për shkak të dëbimit, kushtet politike dhe ekonomike të vendit nga ka ardhur aplikanti, lidhjet familjare me vendin, lidhjet me komunitetin që ka aplikanti në SHBA dhe integrimin e tij në këtë shoqëri. Vështirësitë financiare për familjen që lë këtu me dëbimin e tij nuk janë të mjaftueshme për anullimin e deportimit të tij. Por duhen edhe prova të tjera, deklarata nga komuniteti ku banon, letër nga psikologu, etj. Sa më shumë evidenca aq më mirë. Në raste të tilla konsultimi me një avokat me përvojë të emigracionit do ishte shumë i nevojshëm. Ne gjithmonë i inkurajojmë emigrantët për konsultime profesionale   me avoktë të emigracionit, në lidhje me situatat e veçanta që ata  mund të ndodhen.

/iliria/