Zvjetllana Skorovoti: Studimi, rreth 89% e grave në Lezhë në depresion

816
0

Voltiza Duro – Rreth 89% e grave në komunën e Kallmetit në Lezhë janë në gjendje depresioni për shkak të nivelit ekonomik, papunësisë e statusit civil. Këto janë të dhënat më të fundit që vijnë nga një studimi i paraqitur në datat 20-22 prill 2018-të, në Konferencën Kombëtare të Shkencave Mjekësore 5. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja e familjes, njëkohësisht specializante në vitin e dytë në Departamentin e Neuroshkencës pranë Shërbimit të Psikiatrisë, Zvjetllana Skorovoti tregon se studimi është realizuar me qëllim evidentimin e depresionit tek gratë e grupmoshës 40- 60 vjeç që jetojnë në zonën rurale të Kallmetit, Lezhë. Ajo shton se në këtë studim u përzgjodhën 1020 gra të kësaj grupmoshe ku rezultoi se 87.2% e femrave ishin në depresion, nivel ky shumë më i lartë sesa ishte menduar. Gjithashtu, Skorovoti thekson se nevojiten më shumë studime në këtë fushë që do të çojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve, e duhet një ndërhyrje sa më shpejt të jetë e mundur për minimizimin e problemit.
Çfarë është depresioni?
Depresioni dhe ankthi përbëjnë një nga barrët më të mëdha të shoqërisë në shkallë globale e mendohet se do jenë shkaku i dytë më i madh në botë i sëmundshmërisë deri në vitin 2020. Organizata Botërore e Shëndetësisë në një raport, citon se depresioni dhe ankthi kërcënojnë të jenë sëmundjet më të zakonshme në botë deri në fund të shekullit, veçanërisht te gratë. Rreth 73 milionë femra në mbarë botën vuajnë një episod depresiv çdo vit ndërsa rreth 300 milionë njerëz të të gjitha grupmoshave vuajnë nga depresioni. Sipas statistikave rreth 800 mijë njerëz në vit vdesin nga vetëvrasjet prej depresionit, e madje përbën shkakun e dytë të vdekshmërisë në djemtë e moshës 15- 29 vjeç.


Po në Shqipëri si paraqiten shifrat e të prekurve nga depresioni?
Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Sipas të dhënave të ISHP, në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin. Ndërkohë femrat gjithmonë janë në rrezik më të lartë për të vuajtur nga depresioni. Nga një vlerësim i shpejtë pranë qendrave shëndetësore vërehet se shumica e personave nuk pranojnë ta kryejnë pyetësorin e depresionit që është një nga rubrikat e kontrollit bazë 35-70 vjeç, si shkak i mundshëm mendohet të jetë stigma që e rrethon këtë sëmundje.
Çfarë synon projekti juaj?
Jane bërë shumë studime në lidhje me sëmundjet e tjera organike, por për të matur nivelin e depresionit nuk ka një shifër reale në Shqipëri. Duke qenë që prej më shume së një viti unë jam rezidente në QSUT, pranë shërbimit të psikiatrisë u inspirova për këtë projekt. Synimi i këtij projekti 6 mujor (shtator 2017 – shkurt 2018) është evidentimi i depresionit tek gratë e grupmoshës 40- 60 vjeç që jetojnë në zonën rurale të Kallmetit, Lezhë. Në këtë studim u përzgjodhën 102 gra të kësaj grupmoshe. U përdor testi PHQ9 i validuar dhe i përdorur në paketën e kontrollit bazë të Check-Up-it. Gjithashtu, u mbajtën shënim edhe të dhënat e përgjithshme demografike, socio-ekonomike dhe shëndetësore për çdo pjesëmarrës. Të dhënat u analizuan me programin statistikor SPSS 23 .
Sa pyetje përmbante pyetësori drejtuar grave të marra në studim?
Pyetësori përmbante 9 pyetje.
Cilat ishin konkluzionet përfundimtare të projektit tuaj?
Në bazë të pikëve të pyetësorit rezulton se në kampionin e marrë prej 1020 grave, 12.8% ishin pa depresion, ndërsa 87.2% rezultonin me depresion. Për këtë zonë ky është studimi i parë që bëhet për këtë çrregullim. Gjendja e depresionit kishte një prevalencë të lartë për gratë e moshës 40-60 vjeç.
Sipas jush cilët janë disa prej faktorëve ndikues në shkallën e lartë të depresionit për femrat e komunës së Kallmetit në Lezhë?
Studimi tregoi që niveli ekonomik, statusi civil dhe niveli i punësimit kishin një lidhje statistikisht të rëndësishme me nivelin e depresionit. Sigurimi i shërbimeve të shëndetit mendor në këtë grupmoshë është esencial duke ulur edhe nivelin e stigmës. Nevojiten më shumë studime në këtë fushë që do të çojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve. Niveli i depresionit doli shume i lartë dhe si na lind nevoja të ndërhyjmë sa më shpejt.

/Gazetashqiptare/