Shqiperi – Iali /Nënshkruhet Marrëveshja e Mirëkuptimit ILIRIA

681
0

Sot, më 18 maj 2021, në orën 12.00, pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë, Ministrja e Arsimit, e Sporteve dhe e Rinisë, Evis Kushi, Ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Anila Denaj, dhe Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, nënshkruan Marrëveshjen e re të Mirëkuptimit mbi Programin “Illiria” me qëllim nxitjen e mëtejshme të mësimdhënies së gjuhës italiane, si gjuhë e parë e huaj, në sistemin arsimor shqiptar.

Me anë të kësaj Marrëveshjeje, Shqipëria merr përsipër të përhapë mësimdhënien e gjuhës italiane në sistemin para – universitar.

Italia, nga ana e saj, do të vijojë të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të mësimdhënies së gjuhës italiane përmes lëvrimit të kontributeve në dobi të mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane si dhe furnizimit, me materiale didaktike, të bibliotekave dhe laboratorëve të shkollave “Illiria”.

Italia do të vijojë gjithashtu të japë ndihmesën e saj në formimin e mësuesve shqiptarë të italishtes përmes Zyrës së Shkollave të Ambasadës së Italisë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, duke vënë theksin, kështu, në angazhimin e vazhdueshëm italian në integrimin, nëpërmjet projekteve inovative dhe nismave kulturore, të kurrikulave tradicionale të mësimdhënies.

Kjo Marrëveshje parashikon gjithashtu edhe përfshirjen e shkollave teknike – profesionale vendase me module në gjuhën italiane të lëndëve jo gjuhësore, duke pasur parasysh praninë e gjerë të sipërmarrjeve italiane në Shqipëri si dhe nevojën për gjetjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në vend.

Me rastin e nënshkrimit, Ambasadori deklaroi: “sot është një ditë e veçantë pasi përtërijmë, për të tretën herë, marrëveshjen e Programit “Iliria”, një mjet i rëndësishëm që rregullon mësimdhënien e gjuhës italiane në shkollat shqiptare. Gjuha italiane ka qenë ndërkohë një mjet i rëndësishëm për breza të tërë shqiptarësh për të çelur një dritare drejt botës. Falë Programit “Iliria” ndër vite janë formuar jo vetëm të rinjtë shqiptarë por edhe mësuesit e gjuhës italiane. Synimi ynë është të fuqizojmë mësimdhënien e gjuhës italiane në Shqipëri duke e çuar italishten edhe në shkollat profesionale shqiptare, pasi gjuha italiane duhet të jetë një mjet i dobishëm për t’i mundësuar punësimin të rinjve shqiptarë që diplomohen në degët e ndryshme profesionale. Italia vazhdon të jetë partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe një e treta e shkëmbimeve të Shqipërisë kryhet me Vendin tonë, janë rreth 3 mijë ndërmarrjet italiane që punojnë në Shqipëri duke i ofruar punë dhjetra mijëra njerëzve. Ndaj, e mbi të gjitha për këtë arsye, gjuha italiane është shumë e rëndësishm”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Kushi theksoi se: “kjo është një ndër marrëveshjet më rëndësishme mbi të cilat bazohet bashkëpunimi në fushën e arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa përmendi edhe disa prej risive që sjell ajo: “së pari, ne kemi risi rishikimin e nivelit të njohurive gjuhësore, që bazohet në kuadrin e Përbashkët Evropian të Referencës për Gjuhët. Ndërkohë, risi tjetër shumë e rëndësishme është edhe përfshirja e arsimit dhe formimit profesional. Kjo ka ardhur si nevojë e tregut të punës për të pasur më shumë profesionistë të fushave të ndryshme që njohin gjuhën italiane”.

Zhvillimi profesional i mësuesve të gjuhës italiane është një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje, për të cilin Ministrja Kushi shprehu falënderim të përzemërt për palën italiane: “Që prej vitit 2006 kur ka filluar kjo marrëveshje, ka dhënë kontribut dhe ndihmë të madhe pikërisht në trajnimin e mësuesve të gjuhës italiane. Edhe në këtë marrëveshje është shumë e rëndësishme që pala italiane angazhohet për trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve të gjuhës italiane, madje duke përfshirë në këtë proces edhe profesorë nga universitetet më prestigjioze të Italisë, siç është Universiteti Shtetëror i Milanos”.

Në fund, Ministrja Denaj theksoi se “Qeveria Shqiptare, me mbështetjen e shumë partnerëve, ka investuar dhe ka ringritur strukturat e Arsimit Profesional për të siguruar një arsim cilësor për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri”.

Në punën tonë jemi angazhuar në dy drejtime thelbësore bërjen funksionale të strukturave në funksion të punësimit dhe arsimit profesional cilësor, rritjen e cilësisë së kushteve, mësimdhënies dhe numrit të nxënësve në degë që i ofrojnë të rinjve një zanat dhe treg të sigurt të punës”, tha Denaj.

Sipas Denajt, vitet e fundit ka një rritje të numrit të nxënësve që ndjekin shkollat profesionale. Konkretisht nga rreth 13-14%, që përbënin nxënësit e shkollave profesionale kundrejt totalit të nxënësve në shkollat e mesme, sot kjo shifër është rreth 20%.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.