Para cash për fëmijët deri në 3 vjeç, plani i qeverisë për të ndihmuar familjet në nevojë

85
0

Para cash për 1 mijë ditë. Ky është një ndër programet që Ministria e Shëndetësisë planifikon të ndërmarrë në vitet në vijim në ndihmë të fëmijëve në nevojë. 

“Një material i shkurtër mbi një skemë mbështetjeje për fëmijët e grup-moshës 0-3 vjeç është përgatitur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Sugjerimet e këtij dokumenti synohet të pilotohen në kuadrin e skemës për “1000 ditët e para të jetës së fëmijës” dhe më pas të vijohet me zbatimin kombëtar të saj të mbështetur në një kuadër të mirë ligjor dhe rregullator”.

I planifikuar për përmirësimin e jetës së fëmijëve përmes një programi mbrojtjeje sociale, ndihma me para cash pritet të përfshijë një kategori të caktuar. Përfitues do të jenë fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike apo dhe ata që kanë vetëm njërin prind. 

Në buxhetin e planifikuar të strategjisë kombëtare të mbrojtjes sociale, skema 1000 ditët e para të jetës përfshin edhe vitin aktual, për të vijuar deri në 2030-ën. Ajo pritet të kushtojë deri në 522 milionë lekë.  

Këto politika konsiderohen të mira por jo të mjaftueshme sipas sociologëve, për të nxitur më tej edhe lindshmërinë në vend e cila ka vijuar rënien edhe në 2023.

Ndihmat aktuale që një kategori të fëmijëve përfitojnë janë bonusi i bebes për çdo fëmijë të lindur, stimuli financiar për regjistrimin në shkollë dhe për vaksinimin, tekste shkollore falas, bursa mësimore etj.