BB: Shqipëria po përballet me një krizë të paprecedentë

731
0

Shtëpitë bosh/ Gratë shqiptare nuk bëjnë më fëmijë

 

Nuk është një buletin lufte. Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e tretë të vitit, numri i lindjeve u ul me 20.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pakësimi i lindjeve në tremujorin të tretë nuk është një rast i izoluar, por një tendencë disavjeçare tashmë e shndërruar në shqetësim madhor për të ardhmen e Shqipërisë.

Vitin e kaluar numri i lindjeve në vend regjistroi nivelin më të ulët në gati 100 vjet. Sipas INSTAT, për gjithë vitin 2016 në Shqipëri u lindën vetëm 31 mijë e 700 fëmijë, çka përbën shifrën më të ulët që nga viti 1930 kur shteti shqiptar krijoi për herë të parë regjistrin civil dhe filloi të regjistrojë të dhënat demografike.

Por rekordi negativ i 2016-ës po përkeqësohet edhe më shumë këtë vit, pasi për nëntë muajt e parë numri i lindjeve ka rënë me 3300 krahasuar me vjet.

Banka Botërore konstaton se Shqipëria po përballet me një krizë të paprecedentë demografike duke shënuar rënien e tretë më të shpejtë të lindshmërisë që është regjistruar ndonjëherë në historinë botërore, pas Koresë dhe Rusisë.

E shoqëruar edhe me emigracionin masiv tek të rinjtë, rënia e lindjeve po sjell plakjen dhe rrudhjen e shpejtë të popullsisë shqiptare, një fenomen që ka pasoja jo të vogla për të ardhmen e ekonomisë dhe financave të shtetit.