Letër bashkëkombasve

Letër bashkëkombasve

Nga Fatjon Gjinaj.
I/e dashur shqiptar/e.
Ne nuk kemi gjithçka na duhet për të jetuar gjithësisht e përhershëm të lumtur në vendin tonë. Unë di diçka: asnjë komb nuk e ka njohur, s’e njeh as nuk ka për t’a njohur ndonjëherë të plotë paqen, harmoninë, stabilitetin, demokracinë, mirëqënien, lumturinë. Nuk di të ketë ndonjë komb në Tokë populli i të cillit jeton epokën që ka ëndërruar. Por di se çdo i gjallë në këtë Planet ëndërron dhe se asgjë nuk mund ta pengojë atë të ëndërrojë e të pretendojë ëndërrat. Sepse vetëm kështu civilizohen popujt.
Unë jam miku i një deputeti. Unë e bëra atë të keq sepse i kërkova një favor që nuk më takonte. Ai s’pranoi dhe u desh t’i mbushja xhepin me para. Që atë ditë ne i bëjmë “like” njëri-tjetrit nëpër rrjetet sociale. Jam miku i tre-katër zyrtarëve. Njërit prej tyre i kisha bërë një nderë dikurë. Erdhi koha kur unë i kërkova të më bënte një nderë ani se ishte kundra ligjit. Ai me shumë mirësjellje nuk pranoi, por unë i kujtova atij nderën që i kisha bërë përpara se të merrte funksionin e zyrtarit të shtetit. Ai u ndje i detyruar dhe ma zgjidhi hallin. Ne ishim dhe jemi ende “miq”.
Jam miku i njërës prej dy punonjësve të një institucioni shtetërorë ku përveç të tjerave ndajnë edhe paratë e pensionistëve. Unë vajta atje për të tërhequr pensionin e gjyshes por ajo nuk pranonte të ma jepte sepse nuk isha i rekomanduar. I dhashë asaj një bakshish nën sportel dhe duke u shtrydhur mi dha të hollat e pensionit të gjyshes dhe që atë ditë unë e tërheq pensionin e gjyshes me të njëjtën mënyrë.
Jam miku i dy-tre mjekëve. Me njërin prej tyre u njoha kur u sëmurë një i afërmi im. Ky i fundit donte të trajohej me kujdes diagnoza e tij, të kishte gjithmonë gatishmërinë e mjekut dhe infermiereve. Mbaj mend që i futi nja dy dhjetëshe në xhep. Ai s’deshi t’i mbajë por pacienti i tha se i kem me qef të t’i jap se i meriton. Që atë ditë përshëndetemi në rrugë me njëri-tjetrin.
Njoh nja katër-pesë edukatore, tre-katër mësues, pesë-gjashtë padagog/e. Disa prej tyre e kishin paguar me para vendin e punës. Për t’i nxjerrur ato para pranonin ndonjë dhuratë nga prindërit, nxënësit dhe studentët. Ata ishin të ndershëm dhe janë të ndershëm por ndodh një problem i vogël: pasi nxjerrin ato lekët e vendit të punës seç i’u bëhet ves rryshfeti.
Tani, nuk po i përmend të gjithë ato që njoh (me gjyqtarë e me prokuror, me policë, me postier, me bankier, me kryetar bashkishë, me pronar mediash, me sipërmarrës…), sepse doja të sillja në vëmendje fenomenin dhe nga se lind ai. Gjithçka e mirë apo e keqe; e drejtë apo e gabuar; e vërtetë apo e gënjeshtërt, lind dhe thuhet nga ne. Jemi ne fajtorët dhe aktorët. Kush thotë se Shqipëria është e pajetueshme, e ka gabim. Në qoftë se Shqipëria për ta është një vend i pajetueshëm unë ju them se jemi ne shqiptarët njerëz me të cilët është e vështirë të jetohet. Shqipëria ështe vendi më i mrekullueshëm në botë. Ka gjithçka i duhet për të qenë një ëndërr e cila s’po bëhet dot kurrë. Ajo vetë nuk bëhet! Shqipëria është e fortë më shumë se secili prej nesh, e madhe më shumë se secili nga ne sepse ne të gjithë bashkë jemi Shqipëria! Por si bëhemi ne, njerëzit që jetojmë këtu ose jo por që shpirti na rreh shqip!? Duke pranuar gabimet tona, duke takuar deputetin, zyrtarin e shtetit, punonjësen e shërbimeve, mjekun, policin, mësuesin, edukatoren, pedagogun, gjyqtarin, prokurorin, sipërmarrësin, pronarin e medias… për t’ju thënë se mua më vjen turp që të kam korruptuar, që të kam bërë njeri jo të mirë. Për t’i pyetur në u vjen turp atyre, e për t’i dhënë besën sho-shoqit se kjo s’do të ndodh më. Sepse nuk duhet të ndodhë më. Ja ku po ju pyes të gjithëve me zë të lartë: duhet të ndodh apo jo??? Hë de përgjigjuni! Ne jetojmë në vendin që kemi dashur të jetë. Ndryshe, Shqipëria do të ishte ndryshe. Dhe në qoftë se duam që Shqipëria të jetë “ndryshe”, duhet të ndryshojmë sjelljet dhe veprimet tona. Pra duhet të ndryshojmë ne!

Comments

comments

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: