Rinia që nuk bën asgjë, 209 mijë të rinj as në punë e as në shkollë

893
0

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave në vend tregojnë një të dhënë alarmante; 209 mijë të rinj në vendin tonë, as punojnë e as shkollohen.

Këta të rinj janë të moshës 15-29 vjeç, dhe në grup moshën e tyre zënë 1/3. Pra, thuajse një në tre të rinj, në vendin tonë, as punon e as shkollohet. Shifrat më të fundit i takojnë vitit 2017.

Të njëjtat të dhëna tregojnë se, numri i atyre të rinjve në këtë grup moshë, të cilët janë në marrëdhënie pune fiksohet në 219 mijë, pra thuajse i njëjtë me atë të atyre të rinjve, të cilët nuk bëjnë asgjë.

Gjithsesi, edhe më alarmant, duket fakti se, ndër ata të cilët nuk bëjnë asgjë, pjesën më të madhe, pra rreth 65% e zënë ata të cilët as nuk po e kërkojnë një punë.

Vetëm 35% e tyre janë ata të cilët deklarohen si të papunë.

Pra, në terma më të thjeshtuar, rezulton se në vendin tonë, janë rreth 136 mijë të rinjtë, të cilët, përveçse nuk shkollohen, as nuk po e kërkojnë një punë, çka do të thotë se janë të papunë pasi duan të jenë të tillë dhe jo pasi nuk gjejnë dot një punë.

Sipas Scan tv, mes gjinive te femrat fenomeni është ndjeshëm më i theksuar, pasi këtu norma e atyre që nuk bëjnë asgjë, ngjitet në 34%, ndërkohë që ndër këto 34%, ¾ janë ekonomikisht jo-aktive, pra që nuk po kërkojnë një punë.

Përhapja e këtij fenomeni gjerësisht te femrat duket se është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një mentaliteti të vjetër, ende të pa ç`rrenjosur.

Një studim i pak kohëve më parë, mbi këtë fenomen, i përhapur së tepërmi edhe në Europë gjatë viteve të fundit, theksonte faktin se, Shqipëria është një ndër vendet më problematike në rajon, së bashku me Kosovën.

Problematika duket se është rrjedhojë sa e dembelizmit dhe e mentalitetit, aq edhe e dëshirës për t`u larguar nga vendi.