Artistja e madhe shqiptare, Parashqevi Simaku ka komunikuar me të birin e saj si dhe me ish-bashkëshortin. Lajmi e ka dhënë biznesmeni, Elton Ilirjani përmes një postimi në “InstaStory”.
“Parashqevi Simaku foli më në fund me video-konferencë me djalin dhe ish-bashkëshortin”, shkruan Elton Ilirjani.
Ky i fundit me ndihmën e një tjetër shqiptareje, Elvira Tatës, kanë ndihmuar artisten Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jetonte si e pastrehë në New York.
Ishte gazetari Blendi Fevziu që identifikoi këngëtaren kur u shfaq në kronikën e televizionit amerikan “ABC 7” duke marrë ndihma vullnetare. Postimi i Fevziut solli reagimin e mijëra shqiptarëve.
Të shumtë kanë qenë ata, të cilët janë angazhuar për të ndihmuar ikonën e muzikës shqiptare që i dha aq shumë dashuri dhe gëzim me këngët e saj kombit.
Parashqevi Simaku u largua nga Shqipëria menjëherë pas rrëzimit të komunizmit me ëndrrën e madhe për të prekur Hollywood-in.