Ushqimi në çerdhe, Blerina Bombaj: Kam thartuar trutë për atë menu

702
0

Ka shkaktuar një debat shumë të madh jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në media në lidhje me dietën ushqimore të fëmijëve në çerdhe që është ndryshuar nga dietologia e njohur Blerina Bombaj.

Ndërsa prindërit flasin për reduktim të sasisë së ushqimit dhe shtimit në të të elementëve që më shumë se sa ushqyes janë dietikë, vetë Bombaj zgjedh të përballet live me të gjitha kritikat.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” të moderatores Nisida Tufa, Bombaj thotë se ka thartuar trutë që të mund të zgjedhë elementet e nevojshme që i duhen një fëmije. Prindërve kritikë, iu thotë se këtë menu do dëshironte t’ja jepte edhe fëmijëve të saj.

“Unë jam një pjesë e hartuesve të këtij grupi, kam dhënë mendimin tim. Shumë prindër më kanë falënderuar për ndryshimin e menusë, që ishte e varfër në mikro-elementë. Një ushqim nuk mjafton të ketë sasi, por në atë sasi duhet të ketë elementët bazë të nevojshëm për rritjen si zinku, hekuri, acidi folik e vitamina C. Kam pasur edhe prindër të shqetësuar që i kam sqaruar duke iu dhënë informacion. Ka pasur edhe prindër të keq informuar që më kanë sulmuar, Unë po pres që të qetësohen, do jem këtu për t’i sqaruar”,- tha ajo.

Dietologia shtoi se: “Është menu e shëndetshme, me standarde ndërkombëtare që sugjeron zhvillim, rritje dhe mirëushqyerje. Kequshqyerja në këtë moshë është një kosto për gjithë shoqërinë tonë. Jo vetëm obeziteti, por edhe sëmundjet kardiovaskulare e diabeti. Mendova që do urohesha për këtë menu, e bëra si të ishin fëmijët e mi ata që do ushqehen. Vendosa të gjithë eksperiencën time. Kam thartuar trutë shumë që të nxjerr atë menu, t’ju jap lëndët ushqyese”,- tha ajo.

Blerina Bombaj tha se sasia ushqimore që përmban vakti sipas menusë së re, i mjafton fëmijës për t’u ngopur.

“Tërshëra dhe trahanaja, janë të gjykuara gabimisht. Dy lugë tërshërë tre herë në javë, është risi. Ky regjim ushqimor, ka për qëllim të merren të gjitha lëndët ushqyese sipas rekomandimeve të OBSH. Përparësi ka qenë përmbajtja në Vitamina C, hekuri, acidi Folik. Me rëndësi është që fëmija përmes ushqimit të merr arrin të ketë në organizëm nevojat për këto elementë. Mishi është i përfshirë në menu. Nga mosha 1-2 vjeç fëmijët i ulet pak oreksi pasi ulet ritmi i rritjes, ndryshe nga latantët që rriten më shpejt. Dhe hekur nuk ka vetëm mishi. Ne e dimë që mishi nuk është i rekomandueshëm përditë. Nuk reaguan prindërit për menunë e mëparshme, kur fëmijët merrnin shumë sheqer, vaj vegjetal, gjalpë të ngrirë (mbi sasinë e nevojshme), çokokremi, etj. ndërsa tani reagojnë për një mënyrë që i përmban të gjithë elementë e nevojshëm. Në ditët e sotme fëmijët kanë probleme me ushqimin, pasi prindërit i kanë mësuar në mënyrën e gabuar. U kanë bërë ushqime pure deri vonë, dhe ata nuk janë mësuar të bluajnë ushqim. Fëmijët duhet të shohin atë perimen dhe supe, dhe të mësohen me njëri-tjetrin”, tha Bombaj.

Më tej, dietologia tha se në rastet kur një fëmijë nuk ndihet i ngopur, atij i jepet ushqim shtesë.

“Një fëmijë që nuk ngopet u jepet ushqim shtesë. Pasi gjithmonë mbetet ushqim. Por mund të them se tashmë nuk hidhet ushqim si më parë. Por edhe nëse një fëmijë kërkon më shumë ushqim nga sa duhet, kjo nuk është e shëndetshme. Unë mendoj se nuk është i mangët vakti sipas kësaj menuje. Sasia mjafton që fëmija të ngopet”, sqaroi dietologia e njohur Blerina Bombaj.