“U bëmë për 1 lek”

58
0

Nga Lutfi Dervishi

Lajmi se Bordi i Transparencës ka ulur çmimin e litrit të naftës me 1 lek, ose 0.008 euro kapi të papërgatitur ekspertët, analistët vendas dhe të huaj, shoqatat e biznesit dhe të turistëve dhe sigurisht edhe opozitën dhe popullin opozitar! Edhe vetë qeveria mbeti pa fjalë.

Shoqatat e Turizmit në Shqipëri njëzëri e përshëndetën vendimin e bordit për të ulur çmimin e naftës me 1 lek dhe e quajtën lajmin më të mirë të sezonit. Tanimë, edhe Jugu i vendit që ka patur një sezon të vështirë, do të rigjallërohet. Me 1 lek më shumë në xhepat e tyre turistët vendas do të shpenzojnë më shumë.

Më herët Banka e Shqipërisë, ndërsa përshëndeti vendimin e Bordit si një vendim historik me implikime pozitive në spiralin e pritshëm të rritjes ekonomike, bërë një sqarim të detajuar në një përpjekje për të mos mbiçmuar lekun dhe për të mos e dëmtuar më tej euron dhe dollarin.

Deri dje kur flisnim për 1 lek, sqaroi një zyrtar i Bankës, kishim ne mendje monedhën me peshë 3.00 gr, me diametër 18 mm, me formë të sheshtë që është prej materiali përzierje baker-zink (çelik i veshur me baker) dhe që është në qarkullim në Shqipëri prej vitit 1997. Por sot me vendimin e Bordit të Transparencës, flasim për një monedhë që merr vlerën e arit të zi. Sot motorrët e ekonomisë shqiptare janë vënë në lëzizje dhe janë gati për një hop cilësor.”

“Kjo është shenja më e sigurtë se ne tani po dalim nga kriza që ka kapur gjithë botën. Për këtë arsye qeveria tërhiqet nga paketa e dytë mbështetëse që kishte planifikuar për pensionistët dhe bizneset, sepse thjesht tani nuk është më nevoja. Ky lajm i bordit, – tha një zëdhënës i qeverisë- është edhe një shuplakë për opozitën që na është qepur me gurë në trastë dhe na ka bërë për një lek në sytë e shqiptarëve”.