Testet e Covid 19 jo vetem ne ISHP, nje tjeter vend i certifikuar nga OBSH per kryerjen e testeve ne Shqiperi

174
0

Qendra Spitalore Universitare e Tiranës (QSUT) ka tashmë gati laboratorin që mund të analizojë veçmas testet për COVID-19 të të gjithë pacientëve që shtrohen në Tiranë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Silvia Bino një nga drejtueset e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) vizituan mesditën e së premtes mjediset e laboratorit, që bëhet zyrtarisht i dyti pas atij të Institutit të Shëndetit Publik, që mund të analizojë mostrat e marra me tamponë për COVID-19, ose ndryshe të kryejë testet PCR.

Laboratori i ri, i certifikuar nga ISHP-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të marrë përsipër analizimin e testeve për pacientët që do të shtrohen në pavijonet e spitaleve të QSUT-së dhe Spitalit Shefqet Ndroqi, i cili së fundmi është ripërshtatur si Spitali COVID-2.

Profesor Andi Koraqi i tregoi ministres mjediset e laboratorit dhe theksoi se “gjithçka është gati” dhe tashmë “priten vetëm mostrat”.

Bino siguroi se laboratori i plotëson të gjitha kushtet e biosigurisë dhe se do të jetë një ndihmë e madhe për luftën ndaj COVID-19.

Deri më sot të gjitha analizat e testeve për COVID-19 kryheshin në laboratorin e ISHP-së. Ekspertë të shëndetësisë kanë deklaruar shpesh në intervista për Euronews Albania se kjo mënyrë e centralizuar i la spitalet pa mbrojtjen e duhur përballë infeksionit.

Disa herë qytetarët janë ankuar se u infektuan në spitale, ndërsa shpesh janë raportuar edhe raste të infektimit të mjekëve nga pacientë, ku këta të fundit hospitalizoheshin pa iu bërë test për COVID-19.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.