Spikerja televizive meket së qeshuri, teksa fliste për rrugën e kryebashkiakut të Bulqizës (video)

127
0

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, u bë njeriu më “viral” pardje, teksa postoi me krenari në rrjetet e tij sociale një rrugë të shtruar në njësinë administrative që drejton. Mirëpo, kjo rrugë ishte krejt ndryshe nga të tjerat, e një modeli që nuk mund t’i shkonte në mendje as inxhinierit më të zot.

Në të dyja anët “shirita” prej betoni, ndërsa në mes bosh. Pak a shumë një imitim i rrugës së trenit, me shina betoni më të gjera se ato prej çeliku. Pati reagime të pafundme mbi këtë “shpikje” të Allës, u bënë mijëra “meme” me të, në fund u justifikua edhe vetë kryebashkiaku në fjalë, duke thënë se kaq janë mundësitë e bashkisë…

Megjithatë, “shpikja” e tij ka shkrirë së qeshuri cilindo që e ka parë, edhe një spikere televizive në një televizion lokal, e cila teksa ishte duke transmetuar (lexuar) lajmin në fjalë e ka humbur seriozitetin. Ajo ka shpërthyer në të qeshura, aq sa edicioni i lajmeve është eklipsuar tërësisht nga ky moment.

Me siguri, në këtë botë virtuale, e qeshura e spikeres së lajmeve është vërë tejet “virale”, tani po rivalizon në këtë drejtim edhe vetë rrugën e Allës. Në këtë rast nuk dimë si të themi, është për të qarë apo për të qeshur me investimin e kryebashkiakut të Bulqizës. Përgjigjen mund ta japë secili prej jush, nisur nga këndvështrimi që e shikon gjënë. Për spikeren televizive, ishte për “ta mbajtur barkun me dorë”…