Si u bë Fatmir Xhafaj ministri më i fuqishëm i Republikës

522
0

Suksesi me Reformën në Drejtësi, pastrimi i policisë nga drejtorët e Tahirit, por mbi të gjitha mbështetja e SHBA e kthyen Fatmir Xhafajn në ministrin e paprekshëm dhe të pavarur të qeverisë Rama. Lëkundja që erdhi në kulmin e suksesit, “koincidenca” e rihapjes së çështjes së vëllait me hetimet e Tahirit dhe kulisat e luftës brenda llojit

Nga Sebi Alla

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj po maste me krenari disa arritje në fushën e rendit, por suksesi personal, i arritur në tetë muaj si ministër, mund të rrëzohet nga një e shkuar e errët e vëllait të tij, çështje që e ndjek nga pas si hije e pandashme që nga viti 2002. Nëse bëhet fjalë për një përgjegjësi individuale, Xhafaj nuk ka pse mban mbi supe veprimtarinë e të vëllait, qoftë ai, një 25-vjeçar “i ndodhur në vendin e gabuar dhe me njerëzit e gabuar”-siç tha vetë ministri. Por dyshimi opozitar se në kohën kur ishte kryetar i Komisionit të Ligjeve, futi një nen enkas për të pamundësuar ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë në Itali, mund ta implikojë me përgjegjësi jo më vetëm morale. Ministri me pikë vlerësimi më të mira deri më tani, mund të shembet jo vetëm nga një reagim opozitar, por edhe në kulisat e brendshëm me të tijtë, që individualizmin, jashtë “vathës qeveritare”, e shohin me shqetësim. Shkëndijën e një zjarri që po mbahet ndezur në vijim, e dha Partia Demokratike, duke publikuar vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë Italiane të shtatorit 2012. “Me vendim nr. 2232, të shtatorit 2012, i Gjykatës së Lartë të Italisë është rrëzuar kërkesa e Agron Xhafajt, duke lënë në fuqi dënimin me 7.2 vjet burg. Për pasojë ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në grup kriminal për trafik ndërkombëtar të drogës mes Europës dhe SHBA-së”-thuhet në vendimin përfundimtar të drejtësisë italiane. Deri në këtë pikë, e vetmja e “re”, ishte vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Lartë italiane dhe ministri Fatmir Xhafaj, rendi në konferencë për shtyp, që më shumë se të mbronte vëllanë, po shpëtonte veten. “Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002, kur ai ishte një 25-vjeçar, i gjendur në vendin e gabuar dhe nën shoqërinë e njerëzve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Ajo ka qenë e mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij. Cilido në këtë vend, përfshi dhe mua apo familjarët e mi nuk është mbi ligjin. Por ajo çfarë është më e rëndësishme është fakti se kjo qeveri nuk i siguron dhe nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt. As mua!” -deklaroi Fatmir Xhafaj. Një ditë më pas, në Parlament bombën e madhe lëshuar ministrit, (ciflat e së cilës prekën edhe kryeministrin), e lëshoi lideri i opozitës Lulzim Basha. Ai e akuzoi se kishte falsifikuar projektligjin dhe më pas miratimin e ligjit mbi ekstradimet, ku Xhafaj sipas tij ishte kujdesur të shtonte dy nene që mbrojnë direkt vëllanë e tij që të mos ekstradohet e njëkohësisht të mos arrestohet edhe në Shqipëri.

Një histori 16-vjeçare që u bë “e re”

Partia Demokratike kishte lajmëruar si rrallë më parë disa ditë të shkuara se në maj do paraqisnin prova të forta që do tronditnin qeverinë. U ruajt e mërkura paradite që në një konferencë shtypi të dilte deputeti Enkelejd Alibeaj dhe ish-ministri teknik i drejtësisë Gazmend Bardhi. Dy nga ekspertët e mirë të PD-së përveçse paraqitën vendimin e formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Lartë Italiane mbi dënimin 7.2 vjet të Agron Xhafajt, argumentuan edhe draftin ligjor, që nëse rezulton të jetë implikuar drejtpërdrejt Fatmir Xhafaj, e lëkund fort pozitën e tij. “Në datën 21.03.2017, Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj, i ka paraqitur seancës plenare Raportin për projektligjin ndryshues të Kodit të Procedurës Penale. Në faqen 32 të Raportit pasqyrohet edhe ndryshimi që i bëhet nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, ku pasqyrohet se ndryshimi ishte identik me atë që kishin propozuar ekspertët dhe kishte miratuar Komisioni, pra versioni i propozuar nga deputetja Vasilika Hysi zyrtarisht” -u shpreh Alibeaj. Sipas pretendimeve të Partisë Demokratike, në tekstin integral të ndryshimeve që i bashkëlidhej Raportit dhe i dërgohet seancës për votim, ndryshimi në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, është shkruar një version tjetër, i falsifikuar dhe i ndryshëm nga ai që ishte miratuar dhe që pasqyrohej në Raportin shpjegues të Komisionit. Shprehimisht në nenin 491, në pikën e fundit thuhet se: “Nuk mund të jepet ekstradimi…kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. E konsultuar edhe me juristë të tjerë, ky version po kështu pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare. “Duke hequr pjesën që kishte miratuar Komisioni, pra që në ato raste kur refuzohet ekstradimi, Ministria e Drejtësisë detyrohej të kërkonte njohjen e vendimit në Shqipëri dhe që dënimi të vuhej këtu, si dhe duke lënë të pandryshuar nenin 514 të Kodit të Procedurës Penale, atëherë edhe njohja e vendimit (për të njëjtin shkak – mosthirrjen në gjykim të të pandehurit, pra dënimin në mungesë), bëhet e pamundur”-tha ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Në përmbledhje të gjithë këtyre ligjeve të ndryshuara në kuadër të Reformës në Drejtësi përfundimisht Agron Xhafaj jo vetëm nuk mund të ekstradohet, por e bën të pamundur edhe ndalimin e tij dhe më pas vuajtjen e dënimit në Shqipëri. E bërë enkas ose jo, për një emër të përveçëm që është vëllai i ministrit të Brendshëm, nga ky ligj përfitojnë edhe të tjerë të dënuar, duke krijuar edhe një përplasje politike dhe juridike me palën italiane, më të cilën kemi marrëveshje dypalëshe për ekstradim të ndërsjellët. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve të Partisë Socialiste kanë argumentuar se këto nene janë shtuar si kërkesë dhe në frymë të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, për më shumë ishin sugjerim nga EURALIUS dhe OBDAT, dy institucione ndërkombëtare që asistuan në reformën e drejtësisë.

Ministri që u “përzgjodh” nga ndërkombëtarët

Në rastin e Fatmir Xhafajt nuk është në diskutim një emër “rutinë” në politikën shqiptare. Ai i bëri vend vetes nga këmbëngulja që pati për Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht në kontributin politik dhe teknik në procesin e vettingut, që mbetet një markë amerikane dhe e BE-së. Nuk janë të pakët zërat që konfirmojnë se emri i Fatmir Xhafajt iu servir kryeministrit Rama në tavolinë nga personalitetet ndërkombëtare, veçanërisht me këmbënguljen e ambasadorëve të SHBA dhe BE-së. Rama u detyrua të lëshojë nga “sovraniteti” i tij, para një situate më se alarmante, pasi Xhafaj po zëvendësonte Saimir Tahirin, ministrin e anatemuar dhe konsideruar si përgjegjës për kanabizimin e vendit, pasojat e së cilës do duan vite të rikuperojnë imazhin e Shqipërisë. Shumë shpejt Xhafaj u duk se erdhi me dorë të hekurt. Fillimisht shkarkoi nga detyra të 12 drejtorët e qarqeve në të gjithë vendin, që njiheshin si njerëzit e Saimir Tahirit. Më vonë, me këmbëngulje, detyroi Ramën që të shkarkonte edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, që në të vërtetë ishte i fundit i “lobit Tahiri”. Fakti që u distancua nga ish-ministri Tahiri dhe kritikoi qeverinë Rama 1, jepnin përshtypje se Xhafaj po vepronte si ministër i pavarur dhe jashtë “vathës” së kanakarëve të Ramës. Që në ditët e para të drejtimit të Ministrisë së Brendshme, nisi punën për të kryer vettingun në Policinë e Shtetit. Kapjet e tonelatave më drogë në vend, por edhe bashkëpunimi thuajse në çdo operacion të suksesshëm edhe me palën italiane, ia shtuan kreditet ministrit Xhafaj. Suksesin nuk e reklamonte me shfaqje “teatrale”, për më shumë qëndronte në zyrë për të treguar një lloj modestie dhe treguar karakterin e tij institucional, pa pasur nevojë që të mbajë konferenca të gjata shtypi, apo dalë me mikrofon në duar për PR (piar) të qeverisë, sikurse rëndom kryeqeveritari. Në ato pak dalje publike, në tetë muaj ministër, Xhafaj është shprehur se me kryeministrin ka marrëdhënie korrekte pune, por vetëm kaq, duke lënë të kuptohet se nuk është nga ata ministra që “përkulet” lehtë para shefit… “Kam marrëdhënie korrekte, por siç ka thënë edhe ai vetë, funksionoj sipas mënyrës time. Nuk jam tip i lehtë”, u shpreh Xhafaj, kur u pyet për raportin me Ramën. I ndodhur në kulmin e karrierës së tij, duke marrë vlerësime edhe nga BE në raportin e fundit mbi hapjen e negociatave, veçanërisht për vettingun në polici, Xhafaj u “detyrua” të përkulej, pikërisht nga e shkuara e dyshuar kriminale e vëllait të tij. Këtë rast opozita, në të gjithë të drejtën e saj politike, nuk mund ta linte pa e kthyer në çështje. Pasi nxorën çdo dokument të mundshëm në konferenca shtypi, problemin e sollën në sallën e Parlamentit. Të enjten, Xhafaj heshti, para akuzave të opozitës, ndërsa doli vetë Rama për ta “mbrojtur”. Në fjalimin e tij, kryeministri si mjeshtër i thumbave, “rrahu” larg dhe lart… “Fakti është i njohur botërisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe nëse në këtë zhurmna do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të çfarëdolloj natyre, të ministrit, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme, se përpara se të flisnin këta do kishte folur miku ynë, ambasadori Amerikan dhe Bashkimi Europian”, tha Rama. Pa kaluar 24 orë nga kjo deklaratë e Ramës, që futi në “valle” kryediplomatin amerikan në Tiranë, erdhi qëndrimi i Ambasadorit Lu. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj”, deklaroi Lu. Por Rama sërish nuk qëndroi indiferent dhe me një qëndrim të ftohtë, nuk hezitoi të replikonte, këtë herë me atë që e quan mikun e shqiptarëve. “Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet. Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur mua”. Në dukje një lojë fjalësh e ngatërruar, mirëpo sinjali shkoi aty ku duhej…: “Fakti se Ramës ministrin Xhafaj ia servirën në këtë post, me propozimin dhe aprovimin e partnerëve ndërkombëtarë”, e bën të jetë më pak i prekur, ndonëse skandali nëse qëndron, është brenda kabinetit të tij dhe kosto politike mban edhe ai.

Suksesi i tjetrit, dështimi ynë…

Brenda Partisë Socialiste nuk ka më aleatë për të gjetur “armiq të jashtëm” të qeverisjes, ndaj ata, për nga natyra e pushtetit, duhen kërkuar brenda. Për nga mënyra e organizimit të partisë dhe mbajtjes simbol të një personi që tërheq vota edhe nga trashëgimia e para viteve 90’, padyshim qëndron kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Një dorë e fortë që konsiderohet si një makineri e mirëfilltë në fushatat zgjedhore. Dhe kjo “Gardë e vjetër” e PS-së, e mbetur pak në numër, tentoi të tregojë forcën me cilësi. Këtu futet edhe Fatmir Xhafaj, i cili në tetë muaj ministër, por edhe katër vite një personazh nga më të rëndësishmit në kryerjen e reformës në drejtësi, arritën të futeshin me imponim në elitën drejtuese. Gjithashtu, një emër aspak periferik është kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili “shkëlqimin e përkohshëm” të ish-ministrit Saimir Tahiri, e shihte me shqetësim, por tashmë që Tahiri është një qytetar i thjeshtë, i përzënë nga partia, terreni për “Gardën e vjetër” të PS-së dhe me prurjen më se të re Veliaj kthehet në shqetësim serioz për pjesën tjetër. Aksioni opozitar në rastin Xhafaj mbetet një nga gjetjet e mira politike për të sulmuar kundërshtarin. Gjithashtu ka marrë kredo si një opozitë denoncuese që është larguar nga debati i ashpër me fjalë që përfaqësohet denjësisht nga ish-kryetari Berisha, duke ia lënë vendin një platforme më të rafinuar e përqendruar në fakte dhe po tenton të shtrojë terren për të demonstruar alternativë qeverisëse në të ardhmen. Rastësi ose jo, rasti Xhafaj hapi një dritë në kampin opozitar dhe me “ndriçimin” e saj, po dalin në pah edhe kundërshtarët e ministrit, nga radhët e partisë së tij. Me kalimin e ditëve mund të mos jetë më një çështje shqiptare, por ndërkombëtare, ku këta të fundit, para se të investoheshin për ministrin e Brendshëm Xhafaj nuk dihet nëse mund të kenë marrë në konsideratë edhe të shkuarën e Agron Xhafajt, pasojat e të cilit po i vuan “vëllai i madh”…