Sezoni turistik/ Ja makinat që nuk do të lejohen të qarkullojnë këtë verë

533
0

Qarkullimi i kamionëve dhe mjeteve të tjera të rënda do të ndalohet nga e premtja deri të dielën në akset kombëtare, përgjatë sezonit turistik.

Dy ministri, ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Brendshme po përgatisin një udhëzim të përbashkët mbi kufizimet e qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave për periudhën nga 15 qershori deri në 15 shtator.

Në kuadër të konsultimeve për këtë udhëzim, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, zhvilloi dje një takim me Shoqatën e Transportuesve Ndërkombëtarë Rrugor, Drejtuesit e Porteve Detare dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ministri Gjiknuri tha se periudha e disiplinimit të lëvizjes të mjeteve të rënda do të jetë gjatë gjithë sezonit turistik, nga 15 qershori deri 15 shtator. “Gjatë sezonit turistik, nisur edhe nga kushtet e disa segmenteve rrugore dhe për të krijuar lehtësi për pushuesit, sidomos në ato zona që kanë intensitet me turizmin, bazuar në legjislacionin në fuqi, së bashku me ministrin e Brendshëm do të nxjerrim një udhëzim, ku do të disiplinojmë trafikun e mjeteve të rënda.

Duke vendosur nga 15 qershori në 15 shtator kufizim të trafikut të mjeteve të rënda në periudhat e fundjavave. Duke nisur nga e premtja përfshirë ditën e diel, trafiku i mjeteve të rënda do të ndalohet në disa segmente kryesore rrugore”, u shpreh Gjiknuri. Kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për fundjavat, në muajt qershor-shtator u dakordësua edhe me grupet e interesit. /Panorama.