Rruga e re e shqiptarëve për të shkuar në Angli

2354
0

Janë të shumta rastet kur shqiptarët janë kapur me dokumente false me qëllim që të kalojnë në Britaninë e Madhe. Më e fundit vjen nga Spanja, ku janë ndaluar në aeroportin e Almerias dy shqiptarë, të cilët me dokumente false synonin të shkonin në Irlandë dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar.

Agjentët arrestuan fillimisht më 18 Qershor një 24-vjeçar me iniciale D.C gjatë në kontrolli. I riu paraqiti një pasaportë greke, e cila rezultoi të ishte false. Ndërkohë javën e kaluar një 40-vjeçar shqiptar u kap pasi kishte një pasaportë sllovene false. Të dy shqiptarët fillimisht kishin destinacion Dublinin dhe më pas Britaninë e Madhe.

Sipas autoriteteve spanjolle, ata kishin kontaktuar me organizata kriminale që merren me trafikimin e njerëzve dhe prodhimin e dokumenteve false. Të dy kishin udhëtuar për në shtetin iberik nga Greqia.

Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët kapen me dokumente false në përpjekje për të shkuar në Britaninë e Madhe. Madje përpjekjet e tyre për të emigruar në vende të ndryshme të Europës përmes dokumenteve false ka vendosur në lëvizje vitin e kaluar drejtësitë e vendeve ku kalojnë rrugët e shqiptarëve për të shkuar në Britani.

Përveç rrugëtimit me dokumente false, shqiptarët kanë zbuluar dhe “shtigje” të reja. Shpesh mediat holandeze kanë raportuar për një qytet të vogël të quajtur Moerdijk, ku ata presin për t’u ngjitur fshehurazi nëpër kamione, në mënyrë që të shkojnë në Britani./abcnews.al