Rritet numri i rasteve, ISHP: të infektuarit e fundit morën pjesë në protestat për Teatrin.

522
0

Për herë të parë në vendin tonë, që prej nisjes së pandemisë së coronavirus janë shënuar 36 të infektuar në një ditë.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja tha për Euronews Albania se shtimi i rasteve ishte i pritshëm me hapjen graduale të të gjitha aktiviteteve në vend, por shifra e sotshme ishte jashtë parashikimeve.

Sipas saj numri i lartë lidhet me aktivitete dhe grumbullime që janë kryer para dy javësh, duke iu referuar kështu protestave të 17 dhe 18 majit për Teatrin Kombëtar në Tiranë. Dhe sipas përllogaritjeve që ka bërë ISHP, infektimi vjen deri 14 ditë pas prekjes së personit nga koronavirusi.

Daja tha se me të infektuarit e rinj kanë nisur të frekuentohen masivisht poliklinikat dhe spitalet.

Znj. Daja theksoi se tregues i vërtetë i gjendjes është numri i të shtruarve në spital, që sipas informacioneve nga Spitali Infektiv dhe urgjenca ka ardhur duke u rritur gjatë ditëve të fundit.

Teksa e përjashtoi si mundësi rikthimin e masave kufizuese, të cilat do të rëndonin më tej ekonominë, mjekja tha se në këtë situatë mbetet në dorë të qytetarëve, të cilët duhet të tregohen të kujdesshëm me higjienën personale, distancimin social dhe përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura.

Për specialisten e ISHP, rastet e shtuara me COVID-19 tek bluzat e bardha nuk është neglizhencë në zbatimin e masave, por gabim njerëzor në momentin e veshjes dhe zhveshjes në ambiente e spitalit, ndërsa fakti që në Shqipëri nuk kemi jetë të humbura në radhën e bluzave të bardha, është sukses.

Mjekja u shpreh optimiste se rritja e temperaturave muajt në vijim do të sjellë dobësim të virusit, ndërsa tha se një test më vete do të jetë hapja e transportit publik javën që vjen me shpresën se nuk do ta vështirësojë situatën.