Rregullat e reja për të marrë nënshtetësinë greke/ Eksperti sqaron gjithçka: Si do të merret..

526
0

Qeveria greke duket se ka hapur një kapitull të ri për pajisjen e të interesuarve për nënshtetësinë greke. Sipas ministrit të Brendshëm, Makis Voridhis, i cili më 22 mars ka shtypur butonin “start” të platformës së re elektronike, do të përfshihen të gjithë aplikantët, ata në pritje dhe të rinjtë.

Platforma e shumëdiskutuar do të ofrojë testimin elektronik të gjuhës dhe historisë/ kulturës greke, një tjetër risi e përfshirë në reformën e fundit ligjore të Kodit të Nënshtetësisë.

Ata shqiptarë të interesuar mund të klikojnë në faqen elektronike të Sekretarisë së Përgjithshme të Nënshtetësisë, jo vetëm për të gjithë informacionin e nevojshëm, por edhe për të mësuar njohuri që do t’u bien në provim.

Në një lidhje “Skype” për Wake Up, eksperti i çështjeve të emigracionit, Fatos Malaj sqaroi me detaje të gjithë procedurën.

“Së pari niveli i testimit është në shkallën B1 të njohurisë së gjuhës. Është një nivel, i cili përdoret edhe në Bashkimin Europian, është i njëjti që përdor BE për gjuhët e huaja.

Aty do të ketë të gjitha mënyrat e provimit, të cilat do të zhvillohen në të njëjtën ditë. Do të kemi provimin me shkrim, do të kemi kuptueshmërinë e testeve të shkruara, do të kemi provimin me gojë dhe kuptueshmërinë e të dëgjuarit të gjuhës së folur.

Më pas do të kemi 4 tema që janë temat e pyetjeve të bankës së pyetjeve që ka nxjerrë Ministria e Brendshme, këtu hyjnë historia, gjeografia, hyn kultura dhe institucionet politike.

Të gjitha këto do të zhvillohen pra brenda një dite. Provimi me shkrim do të jenë rreth 100 pyetje dhe tekste. Aplikanti do të zgjedhë më lotari 20, do të lexojë tekstin do të ketë një pyetje. Sërish do lexojë tekstin dhe do ketë pyetje dhe në fund do të bëjë një përmbledhje të atyre që lexoi apo edhe të pyetjeve që ju përgjigj.

Provimi me gojë do të jetë një dialog ndërmjet aplikantit dhe profesorit që do të ketë aty në qendër. Më pas kemi kuptueshmërinë e gjuhës së folur. Pra, aplikanti do të dëgjojë të incizuar një fragment dhe do të japë kuptimin e asaj që dëgjoi.

Mbrapa shkojmë te temat. Këti emiogranti, në 300 temat që do ketë përballë, do zgjedhë 20. Nga këto 20, 6 do jenë për historinë, 6 për institucionet politike, 4 tema janë për kulturën dhe 4 tema për gjeografinë.

Në provimin e gjuhës duhet të jetë pozitiv në 66%. Në provimin e temave duhet të jetë pozitiv 50% të përgjigjeve.

Ka një problem që akoma ministria nuk ka bërë të qartë si do bëhet ekzaminimi, në letër apo kompjuter. Unë besoj do jetë në letër”, sqaroi eksperti.

Aplikuesit që do të regjistrohen në platformën elektronike për pjesëmarrjen në provimet e para, do të paguajnë taksën 150 euro. Nga kjo taksë përjashtohen sa kanë aplikuar dhe dosja e tyre është aktivizuar me numër protokolli në sektorin e Nënshtetësisë së ministrisë së Brendshme, që do të thotë se taksa paguhet vetëm nga sa do fillojnë procedurën nga zero, pas 1 prillit.

Afati kohor për aplikimin për pjesëmarrje në provimet është 18 prill, ndërsa provimet e para elektronike do të zhvillohen më 16 maj. Aplikuesit duhet të zgjedhin se në cilin nga 8 qytetet greke ku janë vendosur qendra elektronike testimi dëshirojnë të kryejnë procedurën.

Për kategori të caktuara si moshat mbi 62 vjeç, personat me invaliditet të shkallës nga 67% e lart, apo personat me probleme përqendrimi apo të tjera patologji parashikohet formë e posaçme aplikimi, që plotësohet me dokumentet përkatës vërtetues si dhe do të japin provimin me gojë.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është edhe rregullorja që do ndiqet gjatë testimit elektronik, tepër e ngjashme me atë të provimeve panhelenike për maturantët në vend. Aplikuesit që nuk kalojnë me sukses provimin nuk do të kenë asnjë kufizim në përsëritjen e procedurës.