Në komunikim online kryeministri tha se rreziku i virusit është real dhe mund të bëhet vrastar. AI tha se kjo ishte java e fundit me masa kufizuese, ndërsa gjithçka do të hapet si më parë, përveç transportit, dasmave, funeraleve, aktiviteteve sportive dhe turizmit
“Në kushtet e hapjes për heqjen e kufizimeve mund të sjellë përhapjen e virusit dhe për këtë jam shumë në merak, pasi virusi nuk ka ikur. Dua t’ju falenderoj për respektimin e masave në këtë periudhë, ku thyerja e rregullave nuk ishte në përmasa të mëdha.
Kjo është java e fundit e masave kufizuese të lëvizjeve, ku me përjashtim të aktiviteteve sportive e kulturore ku do të vazhdojnë të mbeten pa spektatorë, dasmat dhe funeralet nuk mund të zhvillohen me qindra pjesëmarrës, si dhe transporti publik që do të vazhdojë të mbetet i mbyllur edhe për pak kohë, si dhe turizmi që do të kryhet brenda kornizave të sigurisë, të gjitha të tjerat do të jenë të hapura.
Ne po përgatitemi për të fuqizuar sistemin dhe për t’u përgatitur për një valë të re. Mjekët dhe infermierët na bënë krenarë, u treguan heronj dhe profesionistë.”
Kryeministri Rama tha se kjo do të jetë fundjava e fundit me kufizime lëvizjesh mes zonave.
“Në 1 qershor do të hapim qarkullimin e makinave në të gjitha vendet, kufijtë tokësore si dhe plazhet. Por nuk do të lejojmë që asnjë subjekt tjetër të vendosë çadra plazhi, përveç hoteleve. Do të fillojnë të hapen kantieret e ndërtimit, si dhe do të projektojmë një plan investimesh që do të zgjerojë frymëmarrjen e organizmit të këtij vendi që është goditur, por nuk është rrëzuar”.
Nga paketa e parë e ndihmës financiare, Rama u shpreh se deri tani rreth 65 mijë biznese kanë përfituar dy pagesa prej 26,000 lekë.
“Rreth 109 mijë individë kanë marrë 40 mijë lekë nga paketa e zgjeruar. Janë shqyrtuar rastet pse individë të tjerë nuk kanë marrë pagesën dhe ata që nuk kanë përfituar shumë shpejt do të kenë në llogari pagën e luftës për të punësuarit në biznese me xhiro mbi 14 milionë lekë.”