Në fakt, ka disa të vërteta në këtë paragjykim seksist, konstaton një studim shkencor. Gratë ankohen më shpesh për sëmundjet, burrat vdesin më heret. “Gratë vazhdimisht ankojnë se janë të sëmura: ndonjëherë ‘më dhemb shpina’, pastaj ‘më dhemb koka’, e kur nuk ka këso ankesash, atëherë përdorin ate ‘më lër rehat, jam në depresion’. Ndërsa burrat heshtin – dhe vdesin të parët. Kjo ndodh pjesërisht për shkak se përplasen me një makinë, rrëzohen të vdekur nga sulmi kardiak, zemra u rreh më shpejt, apo dhe vdesin në qetësi të plotë, Ose së fundi vdiqën shumë edhe nga korona.
Këto pohime tingëllojnë si biseda për “burrat e vërtetë” pas birrës së katërt. Paragjykimet e tilla të këqija seksiste mund të dëgjohen në mbarë botën. Por ky është përafërsisht edhe konstatimi i një studimi të madh shkencor të botuar në revistën prestigjioze mjekësore Lancet Public Health, bazuar në 20 sëmundjet më të zakonshme dhe shkaqet e vdekjeve në të gjitha moshat dhe të gjitha rajonet e botës. Arsyet për këtë janë megjithatë shumë më komplekse nga sa imagjinohen.
Dallimi midis gjinive në shëndet bëhet i dukshëm që në adoleshencë. Është mosha jo vetëm kur dallimet biologjike mes gjinive bëhen të dukshme, por edhe kur ndjenja e përkatësisë gjinore – pavarësisht gjinisë biologjike – fillon të ndikojë në jetë. “Nuk është vetëm trupi biologjik me të cilin keni lindur. Është edhe ndjenja e gjinisë në mjedis që shkakton dallimet”, shpjegon profesoresha Sarah Hawkes nga University College London.
Edhe mjekët janë seksistë
Shkaqet janë të shumta dhe nuk janë vetëm për shkak të dallimeve fiziologjike, apo zakoneve në shoqëri. As mjekët nuk janë pa faj. “Ne e dimë se tashmë ka një paragjykim në diagnozat e mjekëve, ku gratë do të diagnostikohen me një çrregullim mendor shumë më shpejt”, thotë një nga autoret e studimit, Luisa Sorio Flor nga Instituti Amerikan për Vlerësimin e Shëndetit.
Në të njëjtën kohë, edhe nëse ankohen për çrregullime mendore, meshkujt do të kenë më pak gjasa të dërgohen për terapi, ndër tjerash për shkak të paragjykimit se “burrat” nuk kanë nevojë për të. Në këtë mënyrë, statistikat tregojnë një numër më të madh të grave që vuajnë nga çrregullime mendore.
“Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës” – siç quhet shpesh dhimbja në pjesën lumbale të shtyllës kurrizore, është pak më e vështirë të shpjegohet. Këtu sigurisht luajnë një rol arsyet fiziologjike, si ndjeshmëria më e madhe ndaj dhimbjeve për shkak të luhatjeve hormonale, ndryshimet në formën e skeletit, si dhe stresi fizik, i cili shkaktohet lehtësisht nga shtatzënia dhe lindja.
Por ka edhe studime të tjera, të cilat dëshmojnë se edhe mjekët gabojnë kur bëhet fjalë për dhimbje shpine. Në studim thuhet se këtë e bëjnë si mjekët meshkuj ashtu edhe femra, edhe pse hulumtimet më të detajuara kanë treguar se shtylla kurrizore e femrave është në gjendje shumë më të keqe se e meshkujve, të cilët më shpejt dërgohen për terapi. Autorët e këtij hulumtimi besojnë se as vetë gratë nuk kërkojnë ndihmë mjekësore në këtë rast sepse janë shumë të zëna me vendin e tyre të punës, apo me mirëmbajtjen e shtëpisë dhe kujdesin për familjen.
“Sëmundjet e grave” nuk janë aq të rëndësishme
Sorio Flor dhe shkencëtarët e tjerë krahasuan të dhënat e studimit nga viti 1990 deri 2021 gjetën diçka interesante: “Në disa kategori mund të vërehen më pak raste të sëmundjes, por raporti midis burrave dhe grave mbetet i qëndrueshëm”. Ndërsa në rastin e “sëmundjeve tipike të grave” – dhimbje shpine dhe depresioni, dallimi është shumë i vogël.
Profesori londinez mendon se seksizmi ekziston – në të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor: “Unë mendoj se ka një tendencë në kujdesin shëndetësor për të barazuar shëndetin e gruas me aftësinë për t’u riprodhuar. Në të njëjtën mënyrë, shëndeti i një gruaje përqendrohet kryesisht tek mitra”, beson Hawkes.
Studiuesit, të cilët kanë publikuar punimin, bëjnë të ditur se do të përpiqen të marrin të dhëna më të shumta dhe cilësore, por problemi i tyre në rritje është korrektësia politike. Domethënë, gjithnjë e më shpesh në diagnoza nuk shënohet fare gjinia e pacientit, e sidomos jo orientimi gjinor. Kjo u pa edhe në kohën e pandemisë COVID-19: nëse do të kishte të dhëna më të mira për gjininë e pacientëve, ndoshta nga kjo mund të nxirren disa përfundime për terapi më të mirë.
Për Sorio Flor, ky studim tregoi fillimisht një fakt banal: “Rezultatet tona janë mjaft të qarta. Nevojat shëndetësore të burrave dhe grave janë thjesht të ndryshme”. Ky duhet të jetë gjithashtu një mësim për sistemet shtetërore të kujdesit shëndetësor: për sëmundje “burrash” si infarkti, ka mrekulli në të gjitha spitalet dhe ka gjithmonë para për teknologjinë e vërtetë hapësinore. Por për sëmundjet e “grave”, edhe kur është shëndeti mendor, bëhen kursime të rregullta dhe shkurtohen shpenzimet.
Marrë nga DW