Instagram bën ndryshimin e madh në platformë që nuk do t’ju pëlqejë aspak

156
0

Reklamat e herëpashershme në rrjetet sociale janë mjaft të bezdisshme dhe për përdoruesit e Instagramit, përvoja së shpejti mund të bëhet edhe më frustruese.

Meta ka konfirmuar se tani po teston një veçori që prezanton reklama të pashmangshme në llogaritë e Instagramit të përdoruesve. Këto reklama shfaqin një kohëmatës dhe e pengojnë përdoruesin të lëvizë përpara se të kalojë koha e plotë, ngjashëm si në YouTube.

Ky ndryshim u has gjatë fundjavës nga disa përdorues. Sipas tyre, reklamat zgjasin deri në 10 sekonda dhe nuk të lejojnë të bësh veprime të tjera gjatë kësaj kohe.

Meta ka konfirmuar tashmë se ky është një test për një format të ri reklamimi i cili aktualisht duket se po prek një numër të vogël përdoruesish.

Një zëdhënës i Meta tha për MailOnline: “Ne gjithmonë po testojmë formate që mund të sjellin vlerë për reklamuesit. Ndërsa testojmë dhe mësojmë, do të ofrojmë përditësime nëse ky test rezulton në ndonjë ndryshim formal të produktit.”

Deklarata e Meta-s sugjeron se ndryshimi mund të mos shtrihet për të gjithë përdoruesit, por testi tashmë ka ngjallur zemërim te shumë prej tyre, të cilët e kanë shprehur me anë të komenteve.