Protesta në Lezhë, qytetarët kërkojnë lirimin e kryebashkiakut Frrokaj – rrethohet komisariati

396
0

Qindra qytetarë në qytetin e Lezhës janë grumbulluar para policisë për të mbështetur kryebashkiakun Fran Frrokaj, pas arrestimit të tij për ‘tjetërsim pronash’ tek zona e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.

Me qindra banorë kanë dalë në mbështetje të kryebashkiakut, pasi sipas tyre vendimi u duket i padrejtë dhe  mendojnë se është për qëllime politike.

Përveç qytetarëve në protestë janë dhe përfaqësues të partisë Demokratike si dhe punonjës të bashkisë Lezhë.

Qytetarët janë grumbulluar para komisariatit të policisë Bashkiake.

Basha për Frrokajn

Kryetari i PD-së Lulzim Basha doli në një deklaratë për median për të kërkuar hetim të paanshëm dhe jo politik për Fran Frrokaj, kryetarin e Bashkisë së Lezhës, i zgjedhur nga Partia Demokratike në zgjedhjet e 2015

“Sot dua t’u them te gjithë shqiptarëve qe ne shpresojmë dhe urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm . Qëndrimi im dhe i Partisë Demotkratike është i pandryshuar , te gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, nga qytetarët e thjeshtë deri tek politikanët më të lartë. Ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent , jo politik dhe i paanshëm. Shqiptarët meritojnë një drejtësi të pastër dhe profesionale dhe jo një drejtësi të kapur e të ndikuar nga axhenda politike për drejtësi selektive të drejtuar nga një krah politik në favor të një krahu tjetër.”

Fran Frrokaj është njëri prej 12 personave të arrestuar më 16 mars si të akuzuar për përfshirjen në skandalin e abuzimit të pronave në bregdetin e Lezhës.