E bujshme/ Dërguan mbi 200 emigrantë në SHBA dhe Kanada, 40 në pranga, 4 policë..

389
0

TIRANE-Policia e Shtetit ka vendosur në pranga 40 persona në disa qytete të vendit, të cilët ishin përfshirë në trafik emigrantësh nga Shqipëria drejt SHBA-së dhe Kanadasë me viza dhe pasaporta false. REPORT TV zbardh detaje të reja nga mega-operacioni i Policisë së Shtetit. Itinerari i trafikut ishte Shqipëri- Itali- Greqi dhe në Meksikë, ku emigrantët kalonin në këmbë kufirin për në SHBA. Banda shqiptare kishte dërguar mbi 200 emigrantë nga Shqipëria në Kanada dhe SHBA.

Pagesat për trafikantët varionin nga 10 – 25 mijë dollarë, ndërsa operacionin e udhëhoqi EUROPOL dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri. Operacioni i drejtuar nga prokurori Eguen Beci është zhvilluar gjatë natës në disa qytete, Tiranë, Lezhë, Kukës, Fier, Dibër, Shkodër dhe Korçë. Në total janë 51 persona të përfshirë në këtë skemë, 40 janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë në kërkim. Përveç të arrestuarve në Shqipëri, disa persona janë ndaluar në Amerikë, Kanada, Spanjë dhe Bullgari nga autoritetet.

Mes të ndaluarve në Shqipëri mësohet se ka dhe zyrtarë dhe 4 punonjës policie. Katër policët janë arrestuar në doganat Qafë – Thanë dhe Hani i Hotit. Hetimet për bandën kishin nisur disa muaj më parë, ndërsa mbrëmë u finalizua. Në vijim pritet një konferencë nga Policia e Shtetit për të dhënë më shumë detaje për emrat e personave që janë arrestuar, në operacionin që ka nisur që pasditen e djeshme. Pak ditë më parë në Fier u godit një tjetër grup kriminal me 16 persona, që falsifikonin pasaporta për në Angli.

d.b/shqiptarja.com