Produktet e tokës shqiptare në Itali

319
0

“Jemi në sallonin e shijes, ky është organizimi më i madh ku vende nga e gjithë bota promovojnë produktet e tyre. Mes 165 vendeve pjesëmarrëse është dhe Shqipëria. Fermerët e vegjël kanë sjellë shijen origjinale të tokës shqiptare.”

Në Torino të Italisë, fermerët shqiptarë u përfaqësuan me djathin mishavine, vajin e ullirit të Elbasanit, jufkat, drithërat, mjaltin dhe zahiretë e dimrit.

Këtë vit për herë të parë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka mbështetur institucionalisht fermerët e vegjël që marrin pjesë në këtë organizim dedikuar ushqimit të mirë e të pastër.

“Ne këtë vit i kemi mbështetur sepse besojmë në punën e përbashkët të fermerëve të vegjël që të grupuar kanë bërë një punë fantastike për ruajtjen e produkteve tipike. I mbështesim fermerët e vegjël nëpërmjet instrumenteve që kemi vënë në dispozicion për ta.”

Në hyrje të stendës ‘Duart e Shqipërisë’ gjen mullirin e gurit si simbol i lashtë i përpunimit të drithërave. Qëllimi është kthimi i vëmendjes tek toka, bujqësia dhe mjedisi.

“Njerëzit kudo që jetojnë të konsumojnë sa më shumë produkte të vendit të tyre. Janë disa zona që janë hambari i Shqipërisë për prodhimin dhe duhen respektuar dhe vlerësuar shumë”.

Nga ky aktivitet ndërkombëtar, ministrja Frida Krifca bëri të ditur se po punohet për të ruajtur dhe mbrojtur disa produkte tipike të tokës shqiptare.

“Ne po identifikojmë një mori produktesh të origjinës së mbrojtur, mishavina që prodhohet në Kelmend është i mbrojtur, kështu është edhe mjalti, fasulja”.

Salloni i shijes ‘Terra Madre’ mbahet çdo dy vite në Torino të Italisë me pjesWmarrje të qindra prodhuesve të huaj.