Sa e sa herë mendimi i prindërve për fëmijët e tyre është i ndryshëm nga ai i mësuesve të tyre apo i familjarëve.
“Fëmija yt është një ëngjëll i vërtetë, është shumë i mirë.” Ama, sapo fut këmbën në shtëpi ai ëngjëlli, fëmija i mrekullueshëm dhe i mirë me të tjerët fillon me nazet tipike, me të bërtiturat dhe sjelljet që juve ju luajnë mendsh.
Kush e ka fajin, ku qëndron gabimi?
Jeni ju prindërit që e tërhiqni këtë lloj sjellje tek fëmijët, apo janë të tjerët që nuk ju kuptojnë? Jo, ka një shpjegim tjetër me bazë psikologjike.
Është fakt se fëmijët sillen me nënën e tyre më keq se me këdo tjetër.
Me mamatë përreth, fëmijët nxjerrin më të keqën nga vetja. Është një paradoks fakti që fëmijët nuk e ndjejnë aspak autoritetin e personit që rri më së shumti me ta dhe që kujdeset për edukimin e tyre, si dhe në çështje të tjera që kërkojnë të kenë fëmijët.
Deklarata është bërë nga një grup psikologësh që kanë ekzaminuar një kampion prej 500 familjesh, ku fëmijët u futën për t’u argëtuar në një dhomë, duke iu dhënë udhëzime, detyra që duhet të kryhen dhe qortime kur ishte e nevojshme. Nënat nuk ishin të pranishme.
Të gjithë fëmijët, me moshë mbi 8-muajsh u treguan bashkëpunues, aktivë, të edukuar dhe reflektues ndaj qortimeve. Kjo ndodhi deri në momentin kur nëna e tyre hynte në dhomë: nga ai moment fëmija ndryshonte 90%.
Fillonte të bëhej i pasjellshëm, më aktiv, tekanjoz dhe i pabindur. Të njëjat këshilla dhe qortime që nënat u jepnin siç ua kishin dhënë më parë, fëmijët as që i merrnin parasysh.
Si shpjegohet ky fenomen kaq i zakonshëm?
Psikologët e shpjegojnë atë me sigurinë e ndjenjës së dashurisë që nënat u japin fëmijëve të tyre: këta të fundit e dinë se dashuria e prindërve nuk mund të mbarojë kurrë dhe e kanë të sigurtë gjithnjë.
Pavarësisht nga sjellja e tyre, ata e dinë se nuk kanë përse të fitojnë besimin e nënave dhe të duken si fëmijë të mirë, siç do të bënin me një të rritur tjetër që nuk është prindi i tyre.
Një përgjigje e thjeshtë ndaj pyetjes që shumë nëna dhe baballarë i bëjnë vetes, por që na jep mundësi të reflektojmë dhe të mendojmë mbi qasjen edukative që duhet të përdoret nga prindërit me fëmijët.
A ndodh kështu edhe me fëmijët tuaj? A keni gjetur zgjidhje për këtë fenomen?