Pasaportat e skaduara, ja si duhet të veprojnë emigrantët shqiptare në pikat kufitare. Ja cfare duhet te dini

2074
0

Para pak ditesh, Qeveria përmes një akti normativ shtyu afatin e pasaportave biometrike. Për të gjithë ata qytetarë, pasaportat e të cilëve skadojnë deri në 31 dhjetor të vitit 2020 do të jenë të vlefshme. Pra, nëse një shqiptar ka një pasaportë që skadon fjala bie në çdo datë të muajve të mbetur, apo edhe më parë deri në fund të vitit do të marrë shërbim.

Ky lajm është mirëpritur, por ka pasur edhe reagime. Ata që më së shumti kanë kërkuar shpjegime ishin emigrantët shqiptarë, të cilët duan të dinë nëse është informuar apo jo sistemi ndërkombëtar për këtë akt normativ.

Madje, emigrantët kërkojnë të dinë, nëse informimi përfshin vetëm pikat kufitare, apo ka vlefshmëri edhe në banka, deklarimet tatimore, transaksionet bankare e të tjera.

Gazeta Shqip u interesua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe konfirmoi se brenda kësaj jave udhëzimet përkatëse do të jenë në të gjitha pikat kufitare tokësore, detare dhe ajrore.

Por, ajo që duhet të dinë emigrantët është fakti se mund të vijnë në Shqipëri me pasaportë të skaduar, por nuk mund të kthehen nëse nuk kanë një të re. Ndërsa për ata që pasaporta u ka skaduar në vendin ku jetojnë dhe punojnë do të marrin të gjitha shërbimet e atjeshme.

Duke marrë parasysh dhe vonesat e problematikat që dhe burokracia e sektorit publik grek apo italian shkakton shpesh herë, shumica kanë vendosur të vijojnë me procesin e rinovimit, pavarësisht lajmit të fundit, duke mos ndryshuar dhe aq fluksin dhe debatet në konsullata.

P.sh. në Greqinë Veriore stabiliteti ka zëvendësuar problematikën, me një reagim të menjëhershëm, pas karantinës së detyrueshme. Në këtë kuadër, Konsullata e Përgjithshme e Selanikut informon se kanë mbërritur të gjitha Pasaportat dhe Kartat ID, aplikimi për të cilat është kryer deri më datë 15 maj 2020.  Shpërndarja e tyre do të bëhet çdo ditë e hënë – premte ora 13:00-17:00 si dhe ditën e shtunë nga ora 9.00 deri 15.00 dhe ditën e dielë nga ora 9.00 deri 13:00.

Në kuadrin e masave dhe kufizimeve që janë në fuqi në shtetin grek Konsullata në Selanik lutet dhe kërkon korrektësi maksimale gjatë paraqitjes në zyra duke mos krijuar konfuzion dhe duke respektuar rregullat e përcaktuara. Gjithashtu kërkohet marrja e masave mbrojtëse gjatë rrugës dhe në Konsullatë, pa harruar edhe distancën.