Pse u shtuan rastet ditët e fundit/ Pipero i shqetesuar per numrin e rasteve ne spital

681
0

Numri i infektimeve me COVID-19 në Shqipëri ka shënuar sot një tjetër rekord, ndërsa në 24 orët e fundit janë identifikuar 42 raste të reja nga 311 testime të kryera.

Të infektuarit janë kontakte të pacientëve mbartës, por nuk mungojnë dhe vatrat e reja në Durrës, Berat, Pukë e Shkodër.

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha për Euronews Albania se numri i shtuar i rasteve të ditëve të fundit lidhet me disa faktorë, duke nisur që nga hapja dhe papërgjegjshmëria  e qytetarëve në respektimin e masave, e deri tek grumbullimet dhe mitingjet e zhvilluara kohët e fundit ku gjithashtu nuk u respektua asnjë masë.

Ai bëri thirrje që të respektohet distanca fizike dhe vendosja e maskës si masat më të thjeshta përr të minimizuar përhapjen e virusit.

“Jo se nuk prisnin raste të shtuara, por ka ndodhur që jo vetëm ka raste të shtuara, po edhe rritje e rasteve të shtruara në spital që tregon se duhet analizuar situata. Ka disa arsye që kanë çuar në rritjen e rasteve: e para hapja dhe përjetimi i tyre në mënyrë jo shumë të përgjegjshme nga qytetarët. Ndërkohë, mosrespektimi i protokolleve nga shumë punëdhënës, si baret restorante që nuk kanë respektuar protokollet. Gjithashtu, kemi edhe një fakt që ndoshta edhe brenda spitaleve është ulur vëmendja si kudo.

Shqetësues është numri i rasteve në spital, pavarësisht gravitetit të sëmundjes. Ndaj bëj apel në radhë të parë për bluzat e bardha, për të respektuar të gjitha masat parandaluese dhe t’u them qytetarëve që virusi vazhdon të qarkullojë, edhe pse ka rënë transmetueshmëria dhe virulenca.

Nëse koha e ekspozimit është e gjatë, mundësia për të shkaktuar sëmundje është e madhe. Ka koinciduar që gjatë kësaj kohe kanë ndodhur grumbullime apo mitingje ku nuk janë respektuar rregullat e distancës dhe vendosja e maskave. Është shumë e thjeshtë; distancë dhe maskë”, tha mjeku.