Pa dashje apo ligësi? Francezi bën një prej gjesteve më të shëmtuara të Lojërave Olimpike

450
0

Lojërat Olimpike sapo u mbyllën në Tokio, me një bilanc pozitiv dhe rekorde dhe performanca befasuese, përtej vështirësive të masave kundër pandemisë.

Tradicionalisht Olimpiada është vendi ku, përtej dëshirës legjitime për të fituar medalje,  mishërohet më shumë shpirti i sportivitetit i bërë të famshëm nga francezi De Coubertin, që thoshte se e rëndësishmja është ”pjesëmarrja”.

Si paradoks i këtij edicioni, ndoshta episodi më i kundërt me bukurinë e sportit vjen pikërisht nga një atlet francez, ditën e fundit të garave.

Bëhet fjalë për maratonistin francez Morhad Amdouni, i cili mbërriti në vendin e 17-të, rreth 6 minuta pas “mitit kenian Eliud Kipchoge.

Një rezultat gjithsesi për t’u vlerësuar, po mos të ishte për një moment që kamerat që monitoronin cirkuitin e garës nuk mund të mos anashkalonin.

Në momentin ku atletët e grupit ku bënte pjesë edhe Amdouni po afroheshin te tavolina e mbushur me ujin aq të nevojshëm për të mbyllur 42 kilometrat e maratonës, francezi bëri diçka të pamendueshme për një profesionist.

Duke vrapuar, iu afrua tavolinës duke rrëzuar gotat me ujë, ndërkohë që mori një për vete, duke lënë pa fjalë stafin aty pranë si dhe kolegët e tij.  

Disa mbrojtën atletin francez duke thënë se gjesti i shëmtuar ishte në fakt një aksident, dhe se pak më poshtë kishte një tjetër tavolinë plot me ujë, por pamjet lejnë të paktën shumë dyshime, dhe ende po shqyrtohen nga organizatorët e garës.