OBSH: Pandemia ka vetëm një valë, nuk është sezonal si gripi..

417
0

Ne jemi akoma në valën e parë të pandemisë Covid-19, e cila do të jetë “një valë e madhe” dhe që “do të shkojë lart e poshtë” nëpër planet.

Kështu u shpreh Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetit, Margaret Harris.

Ajo theksoi se “gjëja më e mirë tani për të gjitha vendet është të përpiqen ta mbajnë kurbën të sheshtë”.

OBSH paralajmëroi gjithashtu që virusi nuk është sezonal si gripi.

“Njerëzit ende mendojnë për stinët,” shpjegoi Harris, “ajo që të gjithë duhet të kuptojmë është se ky Covid sillet ndryshe nga gripi”

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha dje se COVID-19, është emergjenca “më e rëndë” globale shëndetësore që ka shpallur ndonjëherë OBSH-ja.

“Pandemia vazhdon të marrë hov. Në gjashtë javët e kaluara, numri i përgjithshëm i rasteve përafërsisht është dyfishuar”, tha Tedros.

Ai tha se do ta mbledhë këtë javë komitetin e urgjencës së OBSH-së për të vlerësuar pandeminë.

“Një rrugë e gjatë e vështirë është përpara nesh”, tha Tedros, përkundër faktit se “bota ka bërë përpjekje të mëdha”.

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e mbylljes së kufijve dhe për kufizimet në udhëtime, drejtori për emergjenca i OBSH-së, Mike Ryan, tha se këto nuk janë masa të qëndrueshme për kohë të gjatë.

Në muajin mars, kur OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen COVID-19, shumica e vendeve të botës i kanë mbyllur kufijtë, në përpjekje për të frenuar përhapjen.

Lehtësimi i masave të tilla ka filluar të bëhet gradualisht qysh në muajin maj