Nuk do ta besoni, ja sa kushton një sekondë reklamë në emisionet shqiptare. Portokalli më i shtrenjti

1386
0

Cila është hapësira publicitare më e shtrenjtë brenda televizioneve më të mëdha shqiptare?

Revista Monitor ka bërë një krahasim të kostove të reklamave të televizioneve më të mëdha në vend, bazuar në tarifat e tyre të deklaruara.

Për një spot 30 sekondësh, bizneset paguajnë maksimumin prej 262,500 lekësh, ose rreth 2,100 euro në ndërprerjet e programeve argëtuese. “Portokalli” është dhe më i shtrenjti nga emisionet televizive.

Më pas renditen “Shiko kush luan” dhe “Hells Kitchen” po në Top Channel, me rreth 1,900 euro secila për 30 sekonda.

Listën e vazhdon “Dancing with thw stars”, që transmetohet nga Vizion Plus, me rreth 1,800 euro për 30 sekonda.

Më pas vijojnë emisionet e Tv Klan, “Dance With Me”, “Në kurthin e Piter Pan”, “Opinioni” i të enjtes, me rreth 1,650 euro secila për një transmetim që zgjat 30 sekonda.

Top Channel

Në Top Channel, rekordin e tarifës më të lartë të reklamimit e mban “Portokalli”, ku për çdo sekondë para programit paguhet 4,410 lekë, ndërsa për ndërprerjet paguhet 8,750 lekë për sekondë. Pas tij vjen “Hell’s Kitchen” dhe “Shiko kush luan” me 4,000 lekë /sekondë para nisjes së programit dhe 7,800 lekë/sekondë në ndërprerjen gjatë transmetimit. Hapësira më e lirë brenda Top Channel është programi “Pop Culture” me një tarifë 650 lekë/sekondë para transmetimit dhe 700 lekë/sekondë gjatë transmetimit.

Tv Klan

Referuar çmimeve zyrtare të Televizionit KLAN rezulton që “Opinion”, “Në kurthin e Piter Pan” dhe “Dance with me” të kenë edhe tarifën më të lartë për reklamat ku përpara transmetimit, çdo sekondë paguhet me 3,400 lekë dhe në ndërprerjet gjatë transmetimit 6,750 lekë. Programi më i lirë është “Aldo Morning Show” me një tarifë 550 lekë/sekondë para transmetimit dhe 950 lekë/sekondë gjatë transmetimit.

Vizion Plus

Në Vizion Plus, programi me tarifën më të lartë për reklamat është “Dancing with the stars” me 7,700 lekë/sekonda për ndërprerjet gjatë transmetimit dhe pas tij vjen “Al Pazar” me 3000 lekë/sekondë para transmetimit dhe 6,600 lekë/sekondë në ndërprerjet e transmetimit. Më pas vijnë dy programe të tjera “Nga e para” dhe “Treshat”, me tarifën 3,000 lekë/sekondë para transmetimit dhe 6,000 lekë/sekondë gjatë transmetimit. Programi me tarifën më të ulët është “Dita nis në ‘7 pa 5’” me një tarifë 300 lekë/sekondë para transmetimit dhe 600 lekë sekondë gjatë transmetimit të emisionit.