Ndryshon Kodin Rrugor, ja pse duhet t’i paguani gjobat brenda 15 ditëve

6824
0

Kuvendi miratoi të enjten ndryshimet e reja në Kodin Rrugor. Në mesin e këtyre ndryshimeve përfshihet zgjatja e afatit të rinovimit të patentës nga 10 në 15 vjet, përgjysmimi i gjobës nëse pagesa bëhet brenda 15 ditëve, apo dhe këshillimi nga efektivët e Rrugores, në vend të gjobitjes (Lexo më shumë).

Gjate nje interviste, Gerhard Baka, komandant i Qarkullimit në Tiranë, i cili mes të tjerash e vlerësoi pozitiv zgjatjen e afatit të pagimit të gjobës dhe përgjysmimin e saj nëse kjo pagesë bëhet brenda afatit prej 15 ditësh.

“Gjë pozitive është afati kohor për masat administrative të pashlyera, pra që qytetarët mund të paguajnë për një afat kohor 15 ditor dhe me 50 përqind të vlerës së masës që ata janë ndëshkuar. Deri tani ka qenë brenda 5 ditësh me një vlerë 20 përqind nga masa administrative e marrë. Akoma nuk na kanë ardhur udhëzimet, por me ndryshimet kjo është baza që do të aplikohet”.

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe pjesa e këshillimit. Pra efektivët e Policisë Rrugore do të kenë mundësi që jo direkt të vendosin një gjobë, por mund të këshillojnë shoferët që gjenden në shkelje. Kjo formë këshillimi do të pasqyrohet në sistem.

“Edhe kjo është diçka shumë e mirë, sepse shpeshherë kemi hasur në drejtues mjetesh të cilët pretendimin e parë e kanë që ne mund ta kalojmë me një formë këshillimi shkeljen që ka konsumuar. Tani do të jetë më e lehtë edhe për punonjësit e policisë të cilët në sistem do të kenë një database, ku do të verifikojnë nëse ky përdorues mjeti e ka ezauruar këshillimin për një shkelje të kryer, apo jemi në fazën e këshillimit, edhe ajo do të implementohet dhe legjitimohet”, tha Baka