Mjeku Alimehmeti tregon si do të jetë ky dimër: Kur vaksina te vije tek ne, mund të mos ketë më vlerë për shqiptarët

511
0

Infektimit me Covid-19 nuk i ka shpëtuar as vetë epidemiologu Ilir Alihmehmeti.

Ai zbuloi se është prekur dhe është karantinuar në banesë.

Ai tha se nuk është asimptomatik, por ka ndjerë disa simptoma të lehta.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti gjithsesi, pasi pranoi sot se edhe ai është infektuar, tha se Shqipëria është mes vendeve që nuk do të ketë vaksinë anti-Covid për këtë sezon të dimrit.

Ai parashikoi një dimër të vështirë sa i përket rasteve, por theksoi se deri në pranverë apo më tutje, duhet të bëhet një bilanc sesa persona e kanë kaluar sëmundjen, gjë e cila ndoshta do të prodhojë edhe një mungesë interesi për të bërë vaksinën.

Kjo për faktin se vaksinën ai nuk e sheh të mundshme për shqiptarët, deri në pranverën e vitit 2021.

“Me kalimin e sezonit të dimrit ne do ta vëmë re më qartë efektivitetin e vaksinës. Kemi nevojë për më shumë të dhëna për ta kuptuar.  Është e rëndësishme të pritet koha e duhur për të pritur konkluzionet e duhura.  Sa i përket evidencave ka një piramidë. Të dhënat e flasin qartë. Imuniteti i tufës është një element dinamik”.

Mjeku tha se kërkohen studime, sepse shumë qytetarë e kanë kalur Covid pa e kuptuar. Ai gjithashtu pretendoi se kur vaksina të mbërrijë në Shqipëri, mund  ta ketë humbur rëndësinë, sepse me shuma gjasa shumë qytetarë shqiptarë do ta kenë kaluar koronavirusin.

“Me Covax garantohet 20%. Ne duhet të bëjmë studimet tona për të kuptuar sa e kanë kaluar. Shifra është e rëndësishme në Tiranë dhe në zonat e tjera urbane. Do të vaksinohet personeli shëndetësor që nuk e ka kaluar dhe grupet e tjera me risk që nuk e kanë kaluar. Duhet të dimë qartë se sa njerëz e kanë kaluar virusin në Shqipëri. Tashmë kemi shumë raste rreth e rrotull. Duhet bërë një tjetër studim nga Akademia e Shkencave për të parë se sa % kanë antitrupa”, – theksoi ai.

“Duhet të punojmë shumë për vaksinimin. Shpresa është të ulet numri i rasteve që kanë shenja të rënda duke i dhënë mundësi trajtimit sa më të mirë të sa më pak pacientëve. Po ta shihni sot që flasim ne jemi pothuajse në normalitet. Duke parë parasysh që këtë dimër nuk do ketë vaksinë për ne, në pranverë do bëjmë llogaritë nëse kemi arritur përqindje shumë të lartë të personave që kanë kaluar sëmundjen, do të bjerë vlera e vaksinës”, theksoi Alimehmeti.

Ai deklaroi se aktualisht janë 12 produkte në fazë klinike, por përzgjedhja duhet bërë duke pasur parasysh të gjitha parametrat duke nisur që nga efektiviteti dhe siguria.

“Unë kam besim shumë të madh te autoritetet dhe më pak besim te forma me të cilën po përhapet informacioni për vaksinën”,  tha mjeku në ABC.

Ai shtoi se aleanca ku është pjesë Shqipëria, COVAX, nuk ka ende kontratë me Fizerin apo Modernan të cilat janë një hap para kompanive të tjera.

“Ne kemi marrë pjesë në aleancën COVAX, që nuk ka një kontratë as me Fizerin dhe as me Modernan. Nuk jemi të parët që do e marrim. Nëse bëhet një rregullim nga kjo aleancë do rrjedhë edhe tek ne. Nuk dyshoj që shumë shtete do i japin licencim edhe ndonjë vaksine tjetër”, shtoi Alimehmeti.

“Jemi shumë herët për të folur kur nuk kemi asgjë në dorë. Covax do presë se kush i afrohet. Do të jetë në kontakt edhe me Fizerin dhe Modernan”.

Por cilën vaksinë do të marrë Shqipëria, pasi disa prej tyre sapo kanë filluar të shpërndahen për popullatën, më vendet e zhvilluara.

“Duhet të marrim parasysh që kemi 12 produkte në fazë të tretë klinike. Unë do merrja produktin më të mirë dhe më të lirë”.

“E rëndësishme është të kemi të dhëna të qarta të sigurisë dhe efikasitetit të tyre. Një tjetër e dhënë që na duhet është numri i nevojitur për të vaksinuar. Që do të thotë sa persona duhet të vaksinojmë që të evitojmë një infektim. Të dhënat e vetme janë ato që ne kemi në media. Nuk kemi asnjë të dhënë që ne të shohim me detaje për të përcaktuar nëse na pëlqen apo jo”, deklaroi Alimehmeti.

Rikthimin në normalitet, Alimehmeti thekson se është herët për ta parashikuar. Ai tha se shpresat janë që të ulet numri i personave që kanë nevojë për trajtim spitalor.