Miku i afërt tregon dëshirën e fundit të Metit: “Kishim planifikuar të…”

1850
0

Arti dhe muzika shqiptare në zi.

Ditën e djeshme lajmi se Muhamet Liko nuk jeton më mori dhenë.

Ishin të pandarë në skenë e përtej saj, bashkudhëtarë në rrugën e artit dhe miq prej një jete.

Largimi i parakohshëm nga jeta i Muhamet Likos ka lënë plagë për Agron Hamon, kolegun dhe mikun e aktorit të mirënjohur.

Parodistët e Vlorës nuk do të jenë më si dikur, ata humbën bashkëpunëtorin më të dashur.

“Është e dhimbshme në fakt, shumë e dhimbshme. Jam tronditur thellë në shpirt jam tronditur, për Metin. Mund të them që ishte kripa e ne të katërtëve. Ishte njeri model, artist shumë i talentuar.

Humbëm me të vërtetë një shok, një vëlla shumë të mirë. Humori shqiptar humbi një nga aktorët më të mirë, më të mirë, një aktor kaq shumë i kompletuar. Por edhe skena jonë, publiku vlonjat që aq shumë e deshtë atë Met”, thotë duke mos i mbajtur dot lotët, kolegu i një jete Agroni.

Kujtimet e të qeshurat me Metin kanë qenë të panumërta. Batuta dhe momente të veçanta në skenë, e një rrugëtim i lënë përgjysmë.
“Kishim shumë plane.

Ne tani së fundmi dhamë një premierë që e kemi dhënë 14 net rresht, i vetmi urim që na bënte publiku ishte që rrofshit sa malet. Meti ishte vetë lezeti. Dalja e Metit në skenë gjithmonë krijonte ilaritet.

Metin e njihnin që në frymëmarrje. Kishim menduar shumë plane. Do bënim një recital të fundit. Nuk e arritëm dot. Meti na e hoqi humorin”, shprehet Hamo.

Dhimbje për ndarjen nga jeta ndiejnë edhe bashkëpunëtorët përtej skenës të Muhamet Likos.

“Humbja e një jete njerëzore është e dhimbshme për çdo njeri, por ajo kur ndodh tek një njeri publik dhe kaq popullor sa ç’ishte Meti, bëhet akoma më e trishtueshme, akoma më e dhimbshme. meti ka qenë lezeti i humorit.

Atë humor që kishte në skenë, kishte dhe jashtë saj. Nuk ka qytetar në Vlorë që të mos dijë një batutë të Metit”, tha regjisori Genci Demiraj.

Aktori i mirënjohur i humorit ka bërë të qeshin pafund njerëz me rolet plot batuta, por sot ata po lotojnë për të. Liko humbi betejën me sëmundjen dhe ndërroi jetë nga një infarkt në moshën 64-vjeçare