Mbyllet xhamia historike e Et’hem Beut në Tiranë

1561
0

Xhamia historike e Et’hem Beut në qendër të Tiranës, ka mbyllur dyert përkohësisht pasi do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit.

Kjo është konfirmuar nga Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, i cili i pyetur nga “Gazeta Shqiptare” theksoi se xhamia e Et’hem Beut do t’i nënshtrohet pas kaq shumë vitesh restaurimit, si pjesë e marrëveshjes mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Gurra nënvizoi po ashtu se procesi i restaurimit do të nisë zyrtarisht të hënën, dhe pritet të zgjasë deri në dy vite. Gjatë kësaj kohe, në këtë xhami nuk do të ketë as shërbesa fetare.

Marrëveshja e firmosur javën e kaluar mes Ministres Mirela Kumbaro dhe kreut të KMSH-së Skënder Bruçaj, parashikon restaurimin e 5 monumenteve kulture të besimit islam dhe konretisht:

– Xhamia Mbret, Berat;

– Xhamia e Beqarëve, Berat;

– Teqeja e Helvetive, Berat;

– Xhamia e Et’hem Beut, Tiranë;

– Xhamia e Pazarit, Gjirokastër;

Në këtë mënyrë, xhamia e Et’hem Beu do mbyllet sërish pas një periudhe 27-vjeçare, ku u rihap pas lejimit të ushtrimit të besimit nga regjimi komunist, me ardhjen e erës demokratike.

Që nga 1967 e deri më 1991, Et’hem Beu mbeti një monument kulture që ruhej nga shteti, pa iu ndryshuar funksioni, siç ndodhi me të tjera xhami të cilat u shndërruan në vatra kulture apo magazina.

Sakaq, xhamia e Et’hem Beut, njihet ndryshe edhe si simbol i kryeqytetit shqiptar, pasi veç funksionit bazë, atë të kryerjes së ritualeve për besimtarët, kjo xhami përbën dhe një objekt me një vizitueshmëri të lartë turistike.

Për Tiranën dhe qendrën e saj, ajo mbetet si një nga vendet më të tërheqës së masës së atyre që vizitojnë kryeqytetin, të huaj apo shqiptarë nga trojet e tjera.