Largimi i te rinjve çdo ditë nga vendi, vjen lajmi i keq per vendin tone: Një e treta e banorëve janë në moshë..

233
0

Për herë të parë Shqipëria ka arritur moshën e plakjes me dominancë përballë moshave të tjera që jetojnë në vend duke bërë që gati një e treta e popullsisë banuese të jetë në moshë pensioni.

Të dhënat zyrtare evidentojnë se Shqipëria numëron katër milionë shtetas, por një regjistrim i viteve të fundit sugjeron se vetëm 2.8 milionë jetojnë në Shqipëri.

Shifrat nuk janë përditësuar sepse shumë të rinj po largohen çdo ditë nga vendi dhe vlerësohet se aktualisht në vend jetojnë më pak se 2.5 milionë banorë.

Por skema publike jep pagesa për një popullsi më shumë se 4 milionë banorë, referuar regjistrave të gjendjes civile. Kjo do të thotë se përfitues janë të gjithë ata persona që jetojnë jashtë vendit, por përfitojnë pension të pjesshëm.

Numri i përfituesve po rritet me shpejtësi, brenda një viti, numri i tyre u rrit me 14,600 persona.

Kurse nuk ndodh e njëjta dukuri me kontribuesit, të cilët janë në rënie për shkak të tkurrjes së popullsisë së re në moshë.

Në vitin 2020, kishte 1,1 kontribues për një përfitues, duke shënuar përkeqësim në raport me vitin 2019. Kjo do të thotë se për 100 pensionistë paguajnë sigurime shoqërore 110 vetë.

Nga 665 mijë pensionistë në total, të cilët aktualisht janë në skemën publike të pensioneve, 17% e tyre konsiderohen pensione rurale. Masa e pensionit rural është 9295 lekë, ndërkohë që masa e pensionit social është rreth 7400 lekë.

Sipas të dhënave zyrtare, edhe pse shpenzimet për to janë rritur nga 90 miliardë në 134 miliardë lekë, pensionet vijojnë të jenë edhe poshtë pagës minimale, nga 14. 069 lekë deri në 28. 138 lekë.

Paga mesatare në vitin 2020 ishte 54,951 lekë, ndërsa pensioni mesatar në qytet ishte 15,732 lekë, ose sa 57% e gjysmës së pagës mesatare, duke e klasifikuar pjesën dërrmuese të pensionistëve në normën e varfërisë.

Pensionet e reja, vit pas viti, do të dalin me një vlerë më të ulët se pensionet paraardhëse, pasi kanë nisur të reflektohen problemet e tranzicionit.

Informaliteti i lartë në tregun e punës, deri në 60%, sipas Organizatës së Punës (ILO), përveçse ndikon në të ardhura të ulëta nga sigurimet shoqërore, po ekspozon personat që kanë punuar në të zezë ndaj pagesave të ulëta në vitet në vijim.

Me krijimin e qeverisë së re, kryeministri Rama ka shprehur vetëm dëshirën e mirë për të mbështetur armatën e rreth 700 mijë pensionistëve shqiptarë, që përbëjnë 23 për qind të popullsisë.

Rama ka premtuar një rritje domethënëse të pensioneve, përtej bonusit special në fund të vitit dhe rritjes standard prej 5 për qind në vit që në fakt është indeksim i pjesshëm i inflacionit. Kryeministri deklaron se akoma nuk është e mundur “që ne të hedhim një hap të guximshëm përpara, me një rritje domethënëse të pensioneve”.

Në kushtet kur pensionistët kanë punuar për 30 deri 40 vjet dhe kanë paguar kontribute, u lind e drejta që të përfitojnë një pension të denjë. E ndërsa qeveria e ka çuar në 30 mijë pagën minimale për sigurimet, duhet të financojë dhe pensionet që të arrijnë këtë nivel, pasi mbijetesa e të moshuarve po bëhet gjithnjë e më e vështirë.