La zyrën dhe ndihmoi të plagosurit, kush është shqiptari “hero” në Kanada

570
0

Masakra ndodhi në “Champs-Élysée”-në e Torontos, Yong Street. Rruga më e famshme, që ndan pjesën Lindore nga ajo Perëndimore e qytetit.

Me dhjetra e qindra kanë qenë ata që kanë përjetuar një tmerr të vërtetë. Plot 26 minuta kanë rrjedhur nga moment i dhënies së alarmit deri tek arrestimi i të dyshuarit i cili në momentin kur ju afrua agjenti i policisë thërriste “më qëllo”.

Mediat nuk kanë rreshtur së dhënuri informacion për ngjarjen minutë pas minute, duke ju referuar dëshmitarëve të drejtpërdrejtë. Një ndër më të njohurat prej tyre, Toronto Star, ka raportuar edhe emrin e një shqiptari i cili punon pikërisht në kryqëzimin Yong dhe Finch ku nisi tragjedia.

Bes Kondi, Property Manager i godinës 55 Yonge Street, ka rendur menjëherë jashtë zyrës për të dhënë ndihmën e tij rreth orës 13:30, shkruante dje Toronto Star.

Ai është gjendur sëbashku më një agjent policie pranë njërit prej të aksidentuarve që dergjej përtokë, në kryqëzimin Yonge me Kempford Boulevard. Kondi ka ndenjur pranë 60 vjeçarit të goditur nga furgoni dhe ka komunikuar me të deri në momentin kur mbërriti ambulanca. Kronika përshkruan dhe fjalët që kanë këmbyer Besi dhe i aksidentuari, i cili në gjendje shoku rënkonte dhe pyeste vazhdimisht “ç’ka ndodhur, ç’ka ndodhur”. Pas largimit të ambulancës, në rrugë shihej ende mbi tokë xhaketa dhe këpucët e të lënduarit, raportonte e përditshmja prestigjioze kanadeze.

 

Pas leximit të shkrimit në Toronto Star, FlasShqip pati një komunikim telefonik mbrëmë vonë me Bes Kondin, shqiptarin që u bë dëshmitar i drejpërdrejtë i tragjedisë së Yonge Street e që asistoi jo vetëm të dëmtuarit por edhe shumë persona të moshuar që banojnë ngjitur me godinën që ai manaxhon. Rrugët u mbyllën dhe të moshuarit duheshin drejtuar përmes një itinerari tjetër deri në destinacion.

Por si e ka përjetuar ai ngjarjen e djeshme. Me zërin e qetë nga ana tjetër e linjës telefonike ai përshkroi kaosin e momenteve të para dhe shokun total të njerëzve të tronditur e me sy të përlotur. Mbresa të jashtëzakonshme I kishin mbetur nga aksioni i menjëhershëm dhe i koordinuar i policisë, zjarrfikëseve dhe ambulancave, që e morën në kohë rekord situatën nën kontroll si dhe asistuan gjithkënd në përpjekjet për të dhënë ndihmën e pare dhe evakuar sa më shpejt të plagosurit, me synimin për të shpëtuar sa më shumë jetë.

“Kisha parë përmes TV ngjarje të tilla në Francë apo Gjermani, por kurre nuk e kisha menduar që një situatë të ngjashme do ta përjetoja drejpërdrejt këtu” – u shpreh Besi, me një zë plot dhimbje dhe emocion.

Bes Kondi, i lindur në Tiranë, ka emigruar në Kanada sëbashku me prinderit dhe vëllain, Gazmendin, kur ishtenvetëm 14 vjeç, pikërisht 18 vjet më parë. Prej dy vitesh ai punon si Property Manager pranë Kompanisë DEL.

Për Besin, si për cilindo banor të Torontos, 23 prilli 2018 nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa. Ishte dita e një tragjedie që na bëri edhe një herë të kuptojmë se sa e kërcënuar është paqja dhe siguria e qytetarëve edhe në vendet të konsideruara më të sigurtat. Po jetojmë në një epokë paradoksesh të paimagjinuara më parë. Liria po kërcënohet gjithnjë e më tepër nga … vetvetja …