Kush janë dy dibranët, porositës të makinave me miliona euro të padeklaruara

409
0

Në lidhje me ngjarjen në Durrës, ku janë gjetur plot 3.4 milionë euro që dyshohet se janë para nga aktiviteti kriminal, janë duke u bërë të gjitha veprimet hetimore nga policia dhe grupi i posaçëm i hetimit. Rezulton se policia deri më tani ka arrestuar personat që ndihmonin në “mbulimin” e veprimtarisë kriminale si dhe në transportin e parave që dyshohet se janë të pista.

Të arrestuar kanë përfunduar shtetasit Agim Çeka 61 vjeç lindur në Luz i Madh në Durrës. Çeka ishte në rolin e shoferit. Bashkëpunëtor është edhe Edi Lika (Cani) 41 vjeç lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Në pranga ka përfunduar Klevi Lika 20 vjeç  lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë, që rezulton të jetë edhe djali i shoferit. Bashkëpunëtor në krim është edhe Alban Mollaymeri 40 vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Këta persona janë përgjegjës për paratë e sekuestruara si dhe për veprimtarinë e jashtëligjshme që kryenin. Ata do të përgjigjen përpara drejtësisë për një sërë veprash penale që kanë të bëjnë kryesisht me aktivitet ekonomik kriminal.

Ndërkohë, dy persona konsiderohet se ishin “kokat” e grupit. Por kush janë ata? Mësohet se të dy kanë të njëjtin mbiemër dhe janë me origjinë nga Dibra. Ata nuk janë arrestuar, por janë shpallur në kërkim policor. Të shpallur në kërkim janë shtetasit Elvis Vladi 38 vjeç dhe Alfred Vladi 33 vjeç. Forcat policore janë duke vijuar punën intensive për të vënë në pranga dy “kokat” e grupit të dyshuar kriminal.