Kur u arratis babai, nënën e internuan në Plug. Pas 12 vitesh shkuam ta takonim, pyeta një grua në arë me një fëmijë pranë vetes nësë e njihte, ajo ra përdhe kur i thashë…

21792
0

(Nga rrëfimi i mikut tim Fadil)

… “Na e morën pa asnjë faj…!

Na e morën nënën bashkë me dy vëllezërit dhe një foshnjë, bishat e Sigurimit të Shtetit.

Përse na e morën nënën?! Çfarë kishte bërë? Çfarë mund të bëjë një foshnjë e porsalindur, që ja prishën çerdhen ku flinte?!

Babai u arratis për të shpëtuar kokën e tij.

Po ne të vegjlit? Motra 2 muajshe kish si burim ushqimi gjirin e nënës. Po nëna ku do të gjente pak bukë që të mbante gjallë veten dhe foshnjën e saj?

Ne të tre, që mbetëm në Dukat, kishim një çerdhe të varfër ku mblidheshim, shtëpinë e xha Ganiut. Motra jonë 7 vjeçe, zëvendësoi nënën që na e morën bishat. Ajo ngrihej natën, na shikonte dhe na mbulonte. Na pyeste shpesh a kishim uri dhe këtë e bënte për ta treguar dashurinë e saj, sepse as ajo vetë s’kish se ku të gjente asnjë kafshatë bukë.

Xha Ganiu na dërgoi dhe në shkollë. Unë mësoja shumë. Kur kthehesha nga shkolla, veja me dhën. Por ngado që veja, mendjen nuk e hiqja nga nëna. Si do të ishte nëna ime që nuk e shihja? Ah, të kisha nënën, po le të kisha uri dhe le të vuaja! Të paktën ajo do të më thoshte ndonjë fjalë që do të ma ngrohte trupin e sfilitur dhe të zhveshur dhe fjala e ngrohtë është e ngrohtë.

Kisha 12 vjet që isha ndarë me nënën dhe nuk e kisha parë asnjëherë. Më kishte lënë 8 vjeç dhe tani më 1960-n unë isha 20 vjeç.

Ata 12 vjet të kaluar në vuajtje dhe mjerim, pa bukë e pa ujë, pa dashuri, pa familje, e ndarë për së gjalli me njerëzit dhe fëmijët e saj, e kishin plakur shumë, por nuk e kishin prishur shpirtin e saj të bukur.

Kështu pas 12 vjetësh, xha Ganiut i vjen një letër nga nëna e që e morëm vesh se ajo ishte gjallë dhe e internuar në Savër të Lushnjes. Nëna shkruante kështu: ‘I dashur vëlla Gani! Të lutem me përgjërim m’i sill një herë të tre fëmijët t’i shoh dhe pastaj le të vdes’.

Burri fisnik e bëri edhe kësaj here detyrën e tij. Na veshi e na ngjeshi me ato që kish dhe me të u nisëm për të takuar nënën pas 12 vjet ndarjeje.

Nga Dukati në Plug të Lushnjes mbërritëm pasdite. Në arat e pafundme të Lushnjes, shumë gra të internuara ishin duke prashitur. Mua më dërgoi xha Ganiu të pyesja për nënën.

– Ku është Velide Çapoj?- pyeta gratë e para që takova.

– Në fund të arave, do ta dallosh se mban një fëmijë pranë vetes, – më thanë ato gra të lodhura dhe të drobitura.

Pasi mbërrita në fund të arave, iu drejtova gruas që prashiste dhe që kishte pranë një vajzë të vogël:

– O shoqe, i thashë asaj gruaje, a e njihni Velide Çapojin

– E ç’e do a të keqen nëna? – më tha ajo.

– E kërkojnë ca njerëz në xhade, i thashë unë.

Gruaja e vuajtur m’i nguli sytë mirë, filloi të marrë frymë si me zor, m’u afrua dhe më pyeti:

– Po ti i kujt je dhe nga je mor bir?

– Jam nga Dukati, i biri Gani Çapojt – e gënjeva unë.

Gruaja m’u qas pranë dhe po më vështronte nga lart poshtë me lot në sy, po ashtu bëri edhe vajza e saj. Më vunë në mes dhe po më shikonin si të shastisura. Mua filloi të më rrahë zemra fort. –

Mos më gënje, të keqen nëna – më tha ajo, Gani Çapoj nuk ka djalë të madh. Mos je ti Fadili? – më pyeti me një zë që i dridhej.

– Po, – i thashë unë.

Plaka e mjerë ra përdhe, ndërsa vajza e saj m’u hodh në qafë duke më puthur. “Të keqen motra, të keqen motra”!

Ajo plakë, që nuk e njoha, ishte nëna ime, ajo vajzë, që nuk e njoha, ishte motra ime. Ishim ndarë kur ishte 2 muajshe dhe tani po e shihja 12 vjeçe…!

Hodha sytë në fushën e pafundme dhe pyeta veten: mos vallë edhe fëmijët e këtyre grave të mjera, nuk i njohin nënat e tyre, kështu si dhe unë?

Prej atij momenti ne, tre fëmijë të mbetur jetim, me nënë dhe babë gjallë, jetuam me nënën përgjithmonë…”!

Pasi u ndamë me Fadilin, mendoja gjithnjë: “Po sa drama të tilla ka në Shqipëri”? /Memorie.al/

Enver Lepenica lindi në fshatin Lepenicë të Vlorës, në vitin 1944. Ai vjen nga një familje me tradita atdhetare dhe e persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, si nga nëna ashtu dhe nga babai. Ai është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës me rezultate shumë të larta. Ka botuar dhe vazhdon të botojë në organet e shtypit shumë artikuj të karakterit ekonomik, historik dhe të problemeve shoqërore. Ka botuar librat: “Barbarët zbresin në Vlorë”- bashkautor, 1998 dhe “Hysni Lepenica…”- monografi, 2000. “Uan Filipi”, “Major Ahmet Lepenica”, “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës”, “Eliminimi i Grupit Komunist të të Rinjve”, “I. Komunistët vrasës, II: Pushkatimet para popullit”, Tirane 2021, etj.