Kufizime te reja në Shqipëri, dalin detajet, kufizime ne oraret zonat dhe aktivitetet..

6606
0

Qeveria shqiptare po përgatit planin për një lockdown të ri në Shqipëri i cili pritet ti ngjajë ndjeshëm atij të mars-maj 2020.

Noa.al ka mësuar nga burime qeveritare se brenda muajit nëntor do të aplikohen një varg kufizimesh me fusha orare lëvizjeje sidomos në qytetet që konsiderohen të nxehta.

Pas pak ditësh do të nisë kufizimi orar i lokaleve, bare, restorante dhe pub-e në të gjithë zonën e ish Bllokut. Po ashtu disa rrugë të tjera të Tiranës janë futur në draftin e qeverisë për të kufizuar qarkullimin.

Bëhet fjalë për zonën përreth stadiumit Dinamo, zonën përreth RTSH, etj.

Në draft janë dy orare ndaluese, 20 dhe 22. Duket se orari 20.00 do të jetë ai që do të aplikohet. Aplikimi i mbylljes në orën 20.00 është projektuar të bëhet për të gjitha lokalet në vend. Pra orari 20.00 që është në fuqi vetëm për muzikën që nga korriku, tani pritet të zbatohet edhe për mbyllje shërbimi në tavolinë.

Ndërkohë edhe pas këtij orari mund të lejohet shërbimi merr me vete.

Baret dhe restorantet në kryeqytet konsiderohen si vatra të përhapjes se koronavirusit, për shkak të mos respektimit të distancave nga një tavolinë te tjetra.

Dr. Eugena Tomini, është epidemiologe e njohur dhe anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Ajo thotë se në zonën e ish-bllokut dhe disa zona të tjera në kryeqytet, distanca fizike nuk respektohet edhe pse, sidomos ish Blloku, është konsideruar si zonë me rrezik të lartë të përhapjes së COVID-19.

Tomini shpjegon se përse është projektuar mbyllja e bareve në mbrëmje. Ajo pohon se “po vëzhgojmë elementet ku kemi grumbullime masive, të rinj të cilët grumbullohen më shumë. Ata, edhe pse e kalojnë lehtë, janë transmetues të koronavirusit tek moshat më të rritura”.

Tomini pohon se “shtimi i pozitivitetit, numri i rritur i pacienteve në spitale dhe rastet e rënda të hospitalizuara dhe raste vdekjesh, dhe me këtë nivel pozitiviteti dhe transmetueshmërie komunitare bëri që Komiteti Teknik të vlerësojë për masat e tjera.

Në këto kushte, ajo pohon se po vlerësohen “rikthimi i karantinës gjeografike apo totale. Po vlerësohen të gjitha opsionet me mbyllje oraresh”, thekson ajo.

Përhapja e infeksionit COVID-19 duket se po bëhet më shumë nga moshat mbi 15 vjeç. Instituti i Shëndetit Publik thotë se tashmë të infektuarit janë nga të gjitha moshat mbi 15 vjeç. Por pozitivitet më të lartë kanë moshat 50 vjeç e sipër.

Nga këta, moshat mbi 70 vjeç po preken më rëndë prej koronavirusit.

Ditët e fundit janë shtuar shumë personat qe kane humbur jeten nga koronavirusi. Kurse janë rritur shumë edhe të infektuarit, çdo ditë mbi 300 raste.

Problem mbetet numri i shtretërve. Në dy spitalet Covid duket se nuk ka më vende. Ndërsa janë 330 të shtruar me Covid-19, Infektivi dhe Sanatoriumi kanë 325 shtretë. Kurse ish kirurgjia, sot Covid3 ka 115 shtretër.