Ju ndoshta e keni harruar, por këta shqiptarë të famshëm kanë qenë në burg

612
0

“Vuajtja e shkatërron njeriun, por ka një filozofi jete, e cila në mënyrë instiktive më ka drejtuar për të mbijetuar,” tha dikur Fatos Lubonja. I burgosur për 17 vite në burgun e Burrelit, shkrimtari dhe analisti gjeti shpresën për të jetuar mes librave.

I ati i Fatos Lubonjës, Todi, ishte njeri i afërt me Enver Hoxhën dhe drejtor i televizionit kombëtar. Kur Shqipëria komuniste preu lidhjet me sovjetikët, Todi u arrestua pasi shprehu kundërshtimet e tij. Në të njëjtën kohë zbulohet ditari i Fatosit, në të cilin shkruante kritikat ndaj sistemit. Shkurtimisht Fatos Lubonja u dënua me shtatë vite heqje lirie. Teksa vuante dënimin u akuzua si anëtar i rretheve sovjetike dhe u dënua me njëzetë vite të tjera burgim. Pas trembëdhjetë vitesh në një burg të sigurisë së lartë, Lubonja u vendos në qeli vetjake. Aty ai mbajti një ditar dhe shkruajti një roman të plotë në letra cigaresh, të cilin e fshihte në shpinën e një fjalori. Vepra e tij në burgim quhet Masakra e Fundit.

Lubonja doli nga burgu në vitin 1991, pas 17 vitesh në qeli dhe gjeti një jetë të re jashtë. Kësaj dite shërben si analist televiziv, përmes angazhimeve të tjera. Lubonja është kritik ndaj çdo lideri, ndaj çdo ideologjie, sistemi a partie sepse mundet dhe sepse duhet.

Naiv ose jo, burgun mbi supe e vuajti edhe Aleksandër Frangaj. Sipas një biografie shkruar nga Kastriot Myftaraj, kur Frangaj ishte ende student, pranoi të mbikëqyrte printimin e gazetës Koha Jonë të Nikollë Lesit, me kushtin e vetëm që të flinte në një dhomë të siguruar për të. Kur në pushtet erdhi Partia Demokratike, Nikollë Lesi u tërhoq nga posti i kryeredaktorit dhe vuri Aleksandër Frangajn, i vetmi kryeredaktor i një gazete që s’ishte gazetar. Kjo lëvizje nuk ishte krejt e paqëllimtë. Frangaj shërbeu më tepër si rrufepritës sesa si kryeredaktor.

Herën e parë përfundoi në burg prej një titulli në faqe të parë që shkruante se me urdhër të Presidentit Berisha, tanket e ushtrisë shqiptare qenë nisur në drejtim të Serbisë. Në fakt, tanket ishin nisur në kufi me Kosovën, por asokohe, për gazetën Koha Jonë, Kosova ishte Serbi. Prej këtij lajmi, Frangaj u mor i pandehur nga Prokuroria e Tiranës dhe u vu në arrest shtëpie.

Diçka e ngjashme ndodhi sërish në vitin 1994, për një lajm që deklaronte se me urdhër të Presidentit Berisha qenë çarmatosur oficerët e Ushtrisë Shqiptare. E vërteta ishte krejt ndryshe në fakt, dhe Fragaj përfundoi në burg për disa muaj. Sipërmarrësi fitoi lirinë sërish pa mbaruar dënimin, pasi u fal nga Berisha.

Kur publiku dhe investitorët humbën interesin tek gazeta Koha Jonë, Aleksandër Frangaj u bë bashkëpronar i Tv Klan. Sot e kësaj dite është drejtor i një prej televizioneve më të mëdha në vend, një ndër njerëzit më të suksesshëm e emrat më të lakuar. Ato muaj burg janë asgjë në historinë e Aleksandër Frangajt.

Një ndër figurat më konsekuenciale të historisë politike shqiptare, Fatos Nano u burgos një vit pasi Partia Demokratike fitoi zgjedhjet në vitin 1992. Akuza ishte korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Shumë socialistë dhe jo vetëm besonin se të djathtët e burgosën vetëm sepse Nano përbënte opozitë të fortë për Berishën. Para se të burgosej, Nano u caktua Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit dhe kishte për detyrë të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste dhe nga vetë ai. Për punë dy muajsh, Nano dha dorëheqjen dhe i la vendin Berishës.

Prej skemave piramidale dhe kaosit që kishte pushtuar njerëzit, Berisha përshpejtoi zgjedhjet e parakohshme. Nano u fal nga Berisha, doli nga burgu dhe u zgjodh kryeministër nga Presidenti i ri Rexhep Mejdani. Nano dha sërish dorëheqjen kur forcat e policisë vranë Azem Hajdarin. Në vitin 1999, Nano u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Nano u hoqi dorë tërësisht nga politika kur kërkoi të zgjidhej president dhe humbi përbri Bamir Topit.

E vetmja grua në këtë listë është Liljana Kondakçi, e cila u burgos në Itali për dy vite e gjysmë. Këngëtarja u kap me 3kg heroinë në vitin 2006. Procesi gjyqësor zgjati katër vite, në dy nga të cilët Kondakçiu u ndoq lirisht. Si përfundim, ajo u dënua me tetë vite por vuajti në burg vetëm dy prej tyre, pasi u llogarit dhe paraburgimi dhe procesi gjyqësor.

Sot, Liljana vazhdon jetën si normalisht, madje përflitet për zgjedhjet e mira në veshje.

Një histori të ngjashme me Liljana Kondakçiun përjetoi edhe komediani dhe aktori Koço Devole. Në vitin 2002, Devole u kap nga policia italiane nën akuzën e transportimit të 3kg heroinë. Pas tetë muajsh burgim, ai u la i lirë nga Gjykata e Riminit, e cila e shpalli të pafajshëm. Për muajt në burgim, Devole u dëmshpërblye.

Që nga ajo kohë, Devole punoi si regjisor dhe skenarist në emisionin Fiks Fare dhe Portokalli dhe në si aktor në serialin O sa mirë. Për burgimin, Devole tha se “mund ta krahasoj me atë gozhdën që të ngulet në rup dhe megjithëse del, vrima mbetet gjithsesi.”

Në vitin 1998, aktori i shquar shqiptar, Viktor Zhusti ra në prangat e policisë greke. Zhusti u kap me 11kg heroinë, u ndëshkua me 18 vite burg dhe u caktua që dënimin ta vuante në burgun Hanja.

Jeta e aktorit me origjinë greke u pa nga mediat e huaja si një metaforë e shtetit shqiptar. “Është shembulli i njeriut të mirë që nuk i eci në jetë.”

Vjet, President Nishani e nderoi Zhustin me dekoratën Mjeshtër i Madh.

Burimi :Anabel.al