I lindur në Bergamo, kthehet nga Italia për të mësuar shqip, ka një mesazh për shqiptaret

1815
0

Nga Gjergj Figuri

Kristian Bajramaj ka lindur në Bergamo dhe jeton në Milano. Nënë e ka nga Rrësheni të atin nga Kopliku. Por u kthye në Shqipëri vetëm për një motiv. Të mësojë shqip.

“Edhe nëse unë vij për 1 javë dhe nuk di shqip do të ndihesha keq”, thotë ai.

Mendoi se si mund të perfeksiononte gjuhën dhe gjeti zgjidhjen. Edhe pse ka mbaruar shkollën e mesme për elektricist, vendosi të punojë kamarier në një restorant në Shëngjin për arsye se ka komunikim të vazhdueshëm me klientë.

“Ideja erdhi me Covidin. Italia ishte e mbyllur dhe krejt e bllokuar e kështu vendosa që të vij në Shqipëri për të takuar familjen dhe pastaj edhe për të punuar. Kam filluar punë prej 3 muajsh dhe kam mësuar shumë shqip.

Unë mund të punoja në Itali e të fitoja më shumë lekë, por puna është se unë jam shqiptar me origjinë edhe mos të mësoj shqip me duket diçka e keqe. Më pëlqen të rri me njerëz, të rri në mesin e tyre, të flas me ta. E kam provuar të punoj elektricist, por të rri 8 orë vetëm nuk ishte gjë e mire”, tregon Kristiani.

20 vjeçari fillimisht pati vështirësi të cilat me kalimin e kohës i la pas.

“Në javën e parë ishte problem komunikimi sepse nuk i kuptoja mirë klientët, por tani i kuptoj dhe flas”.

Puna që zgjodhi të bëjë e përballi me dialektet.

“Kam pak problem për ti kuptuar edhe punëtorët e tjerë sepse të gjithë flasin me dialekt dhe është problem për mua. Jam duke mësuar shqip dhe përballen me dialektin e Tiranës, Lezhës, Malësisë së madhe e shumë fjalë janë të ndryshme. Ndonjëherë nuk e di as unë çfarë jam duke thënë dhe kolegët bëjnë shaka me mua”.

Kristiani ka një këshillë për moshatarët  e tij që të mos humbin rrënjët.

“Është gjë e mirë që shumë të rinj shqiptarë që jetojnë apo kanë lindur në Itali apo në çdo shtet është mirë që të mësojnë shqipen dhe të mësojnë për origjinën e tyre. Edhe për të ardhur për të jetuar këtu 1 vit. Kam folur me shokët e mi shqiptarë atje që të vinë këtu e të rrinë e të punojnë dhe ju ka pëlqyer ideja ime për të punuar dhe mësuar shqipen si shqiptarë Shqipërie dhe jo si shqiptarë Italie”.

Ai ka vendosur të qëndrojë dhe disa muaj në Shqipëri deri sa të flasë shqipen rrjedhshëm.