I doli emri në “databazën” e hakerave, reagon Spiropali

51
0

Ministrja Elisa Spiropali reagon pas lajmeve dhe të dhënave të publikuara këtë të hënë nga hakerat. Sipas disa mediave, Spiropali ishte në sistemin MEMEX të Policisë së Shtetit, pra si person i skeduar/dyshuar, por arsye nuk kishte.

Politikania socialiste thotë se ajo nuk ka asnjë lidhje me ato të dhëna dhe se databaza e publikuar nga hakerat nuk ka lidhje me sistemin MEMEX, referuar dhe përgënjeshtrimit të Policisë së Shtetit.

“S’ka më jo turp, po as një minimum sensi logjik të kanaleve e të portaleve në raport me publikun, se për ndonjë ndjenjë minimale patriotizmi as bëhet fjalë! Hakerat e një vendi armiqësor me Shqipërinë postojnë lista me emra pa lidhje dhe këtu hidhen gjylet e akuzave absurde!

Thotë Saliu lista Memex, vu portalet lista Memex. Përgënjeshtroi Policia nuk është lista Memex, por lajmet e portaleve mbetën.

Shkurt, e hodhën ata një gur në lumë dhe tani o burra të gjejmë ç’lidhje ka Elisa, Niko, Mimi e të tjerë apo edhe disa gazetarë në listën e të dyshuarve të Policisë! Kanë vetëm një lidhje: Lidhjen mes keqdashësisë së atyre që e hedhin gurin dhe ligësisë së atyre që gjoja s’e nxjerrin dot! Qesharake”, vijon Elisa Spiropali.