Një 32-vjeçar shqiptar i akuzuar për një therje me thikë në Piazza Vittoria, pas ndeshjes Shqipëri-Spanjë, është arrestuar në Pordenone, Itali.
I riu shqiptar me shumë dënime penale dhe me banim në Lacio akuzohet për tentativë vrasjeje.
Ngjarja ka ndodhur të hënën e kaluar, më 24 qershor, kur në përfundim të ndeshjeve të Kampionatit Evropian të Futbollit mes kombëtareve të Italisë kundër Kroacisë dhe Shqipërisë kundër Spanjës, tifozë të shumtë të Italisë u mblodhën në Piazza Vittoria për të festuar kualifikimin.
Por kjo festë u shndërrua në një përleshje të dhunshme mes dy grupeve të tifozëve shqiptarë të zhgënjyer nga eliminimi i Shqipërisë. Disa shqiptarë akuzuan bashkatdhetarët e tyre se po festonin për Italinë dhe në këtë moment 32-vjeçari plagosi me thikë dy të rinj në fyt dhe në krah.
I shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të një polici dhe një karabiniere, të cilët i dhanë ndihmën e parë, i plagosuri u dërgua me urgjencë në spital gjatë natës, ku për disa ditë ishte në rrezik për jetën. I plagosur në dorë mbeti edhe drejtori i Shërbimit të Rendit Publik, zv/komisar policie.
Hetimi i policisë italiane u mbështet në videot e bëra nga disa persona të pranishëm në ngjarje por dhe nga ato të kamerave të qytetit, si dhe nga dëshmitë e shumta.
Komisioneri i Policisë së Bolzanos ka lëshuar një urdhër dëbimi ndaj të arrestuarit, i cili prej disa ditësh ishte strehuar te familjarët dhe miqtë e tij nga frika e hakmarrjes por edhe arrestimit.