Mos hapja e kufijve drejt BE, Rama Ministrit gjerman: Më e rëndë se mos hapja e negociatave..

600
0

Pas përplasjes në distancë me ministrin gjerman të Shëndetësisë, kryeministri Rama shfrytëzoi praninë në Tiranë të kryediplomatit gjerman Michael Roth për të adresuar shqetësimin mbi lëvizjen e qytetarëve të Ballkanit drejt vendeve të BE.

Sipas tij, mbyllja e kufirit të BE për rajonin do të ishte dhe më e rëndë sesa mos hapja e negociatave.

Për Ramën, është e pajustifikueshme ndarja e qytetarëve në dy kategori, ata që kanë marrë vaksinë perëndimore dhe ata që kanë marrë vaksinë lindore.

Rama: Do të ishte shumë më e rëndë sesa shtyrja e radhës të vendimit për miratimin e kornizës negociuese dhe konferencës së parë ndërqeveritare, pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit  për të udhëtuar normalisht  në Europë për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori: Kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore. Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe uroj që edhe ju, edhe miqtë e tjerë të na ndihmoni që të përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye pse të ndahen njerëzit në kategori kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre elementare të lëvizjes së lirë, kuptohet në bazë të gjitha rregullave por njësoj për të gjithë.

Shefi i qeverisë shqiptare nga ana tjetër i bëri me dije Ministrit gjerman vendimin për heqjen e maskave.

Ai tha se shpreson shumë që gjermanët të zgjedhin vendin tonë për të pushuar këtë verë.