Gjendet zgjidhja! Ja si mund të shpëtoni nga taksa e Rrugës së Kombit

633
0

Tarifat e larta që kanë nisur të testohen në rrugën e Kombit 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët mund të anikimohen në gjykatë për shkak se cënohet parimi kushtetues se nuk mund të paguhen me shumë se dy lloje taksash për të njëjtin funksion.

Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 120 milionë euro taksa nga qarkullimi (507 milionë litra nafte konsum vjetor me 2016 x 32 lekë takse qarkullimi +TVSH).

Ndërkohë fondet që akordoi buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugëve vend vitin e kaluar, duke përfshirë edhe rrugën e Kombit ishin rreth 3 miliardë lekë ose 22 milionë euro. Kjo shumë është sa 18 për qind taksës që u vol me 2016 nga qarkullimi dhe që ka destinacion mirëmbajtjen.

Juristi Ylli Manjani pohon se qytetarët ose shoqatat e konsumatorëve parimisht mund të ngrenë padi në lidhje me taksimin e shumëfishte. Mirëpo sipas tij, kjo padi nuk mund të shqyrtohet pasi vendi aktualisht është pa Gjykatë Kushtetuese.

“Siç e dini përfundimi i mandatit të 4 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e ka lënë këtë gjykatë pa shumicë për të funksionuar. Ndaj pa zgjidhur këtë çështje nuk ka as gjykime.

Por kjo nuk do të thotë që padia të mos ngrihet. Ajo mund të depozitohet dhe të presë plotësimin e vendeve në gjykate për tu shqyrtuar” , sqaroi zoti Manjani.

Zoti Manjani thotë se kjo çështje meriton një analizë dhe vlerësim të plotë nga pikëpamja e përputhshmërisë me kushtetutën.

Sipas tij dhënia e rrugëve kombëtare në administrim privat është praktikë e njohur në botë. Por shteti e lejon këtë lloj administrimi vetëm në kushtet kur rruga që i jepet privatit për ta ndërtuar ose administruar është rrugë alternative e rrugës publike.

Pra parimi është që shteti ka detyrë të sigurojë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në rrugë publike. Për këtë qëllim njerëzit paguajnë taksa, shprehet me tej juristi i njohur.

Ai tha se, për aksesin në rrugë publike shteti nuk mund të kërkoje para apo tarifa shtesë, sepse është paguar nëpërmjet taksës. Ndërsa privati është gjithnjë shërbim alternativ. Natyrisht më i mirë, më i shpejtë dhe më i sigurte.

Mbi këtë shërbim përdoruesi paguan çmimin ose përdor rrugën publike. Ky është shtrati parimor i ndërtimit dhe administrimit të rrugëve në çdo shtet, pavarësisht formës apo regjimit politik që e drejton, shtoi ai.

“Tani nëse e marrim dhe analizojmë ligjshmërinë apo kushtetutshmërinë e koncesionit të rrugës se kombit, krahasuar me këtë set parimesh që sapo përmenda, do shohim se ka çështje që meritojnë sqarim” analizoi me tej eksperti, duke shtruar disa pyetje .

-Së pari duhet të dimë sa para nga taksimi i përgjithshëm i kalojnë kësaj rruge dhe në ç’formë?

-Së dyti, mbi sa para nga të ardhurat e mbledhura nga taksa e naftës i kalojnë rrugës?

-Së treti si janë flukset e qarkullimit, dhe cilat janë pritshmëritë tani që aplikohet taksa?

-Së katërti, a ka dhe a funksionon rruga publike? Dmth rruga e Kombit quhet alternative apo rrugë e zakonshme?

-Së pesti, si ndikon qarkullimi në këtë rrugë në treguesit ekonomikë të vendit?

Informacionet që dalin nga përgjigja e këtyre pyetjeve do ma krijojë një panoramë më të qartë mbi ligjshmërinë e kontratës. Këto fakte do të kërkonte edhe gjykimi Kushtetues, shtoi ai

Por në fund te fundit konsumatori ka gjithnjë të drejtë të mbrohet. “Objekti i gjykimit në thelb është pak delikat, por i drejtë. Saktësisht ndërtimi i një padie të tillë, kërkon doemos informacionet që vijnë nga përgjigja e pyetjeve të mësipërme. Sidoqoftë insistoj qe diskutimi themelor mbetet tek e drejta e aksesit publik në rrugët publike te cilat i paguan publiku nëpërmjet taksave. Rrugët alternative mund te jene dhe private. Rreth kësaj teme do te duhet te ndërtohej një padi”. /Monitor/ http://www.albeu.com/shqiperi/gjendet-zgjidhja-ja-si-mund-te-shpetoni-taksa-e-dyfishte-e-rruges-se-kombit/384733/