Ka ndërruar jetë Pal Trashaj, 63 vjeçari i cili mesditën e djeshme piu fotoksinë para prokurorisë së SPAK. 63 vjeçari i cili njihej si historian në qytetin e Lezhës ishte viktimë e skemës së mashtrimit financiar me mikrokreditë që ka prekur një numër shumë të lartë qytetarësh në Shqipëri.
Burime nga QSUT bënë me dije se ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.
63 vjeçari i cili ka mbajtur dhe postin e PD-së në këtë qytet, 2007 – 2009, prej vitesh kishte denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.
Pal Trashaj kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë të vjetra (76 mijë lekë të reja). Kredinë e kishte blerë MCA e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.
Në një reagim SPAK informoi se 63 vjeçari kërkonte takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.