E thërritën natën, flet psikologia: Ç’më tha Xhisela në polici, djalin e deputetit e pashë…

423
0

Psikologia që ka asistuar mbrëmjen e datës 21 korrik në Stacionin e Policisë Fushë-Krujë, kur Xhisela Maloku po tërhiqte kallëzimin e radhës ndaj Rexhep Rrajës, tregon se e ka këshilluar vajzën që të mos tërhiqej nga ankesa e saj dhe për pasojat që mund të kishte.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, psikologia Anjeza Kallaku tregon se është lajmëruar nga oficeri Gentjan Çitozi në orën 22:00 të mbrëmjes për të asistuar për një rast dhunë.

Ajo thotë se ka qëndruar rreth një orë aty, por nuk ka konstatuar shenja dhune të dukshme në trupin e 25-vjeçares, edhe pse ajo ishte e veshur me të shkurtra.

Ndërsa shprehet se nuk është kompetencë e saj të flasë për persona të tjerë, që mund të kenë qenë të pranishëm aty atë natë dhe se ajo nuk i njeh.

Në deklarimin e dhënë më datë 30 korrik 2018, para oficerit të Policisë Gjyqësore, Emiljano Nuhu, në Stacionin e Policisë Fushë-Krujë, e dëmtuara Xhisela Maloku, në një rast, përmend edhe emrin tuaj, si psikologe që keni asistuar ditën kur ajo ka tërhequr denoncimin që kishte bërë ndaj Rexhep Rrajës.

Me aq sa sqaron ajo në këtë deklarim, bëhet fjalë për datën 21 korrik të vitin 2018, në mbrëmje.

Kush ju ka kontaktuar për të qenë e pranishme aty atë natë?

Më ka kontaktuar oficeri i Policisë Gjyqësore, Gentjan Çitozi. Ka qenë ora rreth 22:15 e mbrëmjes, data 21 korrik. Ndërsa aty, pra në stacionin e Policisë, kam qenë e pranishme diku rreth orës 22:40.

Cila ishte arsyeja pse ju kërkuan që të shkonit aty?

Më tha që kishin një rast dhune dhe më pyeti nëse mund të shkoja dhe të asistoja aty. Fillimisht i thashë që nuk kisha mundësi, pasi isha me pushime. “Të lutem, hajde, se nuk kemi mundësi të gjejmë një psikologe tjetër”, më tha. Madje, më tha që do të dërgonte dikë të më merrte. Në këto rrethana, unë kam shkuar, e shoqëruar nga babai im.

Keni parë persona të tjerë aty gjatë kohës që keni qëndruar?

Realisht, kjo nuk është kompetenca ime. Unë kisha shkuar aty për të biseduar me vajzën që më thanë se ishte e dhunuar. Por se me kë mund të bisedonte ajo, se kë do të linte hetuesi brenda apo kush mund të qëndronte jashtë, kjo nuk është kompetencë e imja. Ajo nuk ishte zyra ime dhe për këtë nuk mund të përgjigjem unë.

Pra, ju ndodheshit aty për të parë gjendjen emocionale dhe psikologjike të vajzës?

Po. Por edhe për ta këshilluar që ta mendonte mirë tërheqjen, sepse mund të kishte probleme të mëvonshme. Mund të konsiderohesh gënjeshtare, mund të konsiderohesh person i pabesuar, mund edhe të dënohesh për kallëzim të rremë.

Në këtë formë e kam këshilluar. Duke marrë në konsideratë edhe faktin, që ju besoj e dini, se vajza ka bërë disa deklarime dhe që shpesh këto deklarime kanë kundërshtuar njëra-tjetrën. Pra, tjetër gjë ka deklaruar tek Emiljano Nuhu, tjetër gjë ka deklaruar para disa ditësh, tjetër gjë ka deklaruar te Gentjan Çitozi. Një herë e tërheq kallëzimin, pastaj e bën.

Për këtë arsye, duke mos e kuptuar se çfarë po bëhej me këtë rast, e kam këshilluar që të mendohej mirë. Unë, si psikologe, atë natë, sinqerisht, kam bërë punën time, aq sa më jep kompetencë ligji dhe nuk di çfarë të them më tepër. Për personat që ishin prezentë, unë nuk mund të përgjigjem, as se kush futej në komisariat, as se kush ndodhej në zyrën e Çitozit.

Përafërsisht, nëse ju kujtohet, sa keni qëndruar aty me vajzën atë natë?

Përafërsisht, diku te një orë ndoshta. Diçka më pak ose më shumë, nuk më kujtohet me saktësi.

Pra, rreth një orë keni qëndruar në zyrën e Gentjan Çitozit?

Po.

Gjatë kësaj kohe, vajza ka biseduar me ju se si ishte nga gjendja emocionale, psikologjike, me aq sa kuptuat ju?

Me vajzën folëm për pjesën se përse po e tërhiqte kallëzimin. Dhe ishte thjesht një moment kur ajo më tha se dua të bëj tërheqjen, pasi kallëzimin e kam bërë për shkak të xhelozisë.

Jo për shkak të dhunës? Nuk e përmendi dhunën?

Jo, madje, edhe e pyeta nëse ishte dhunuar apo jo. Kam edhe një detaj tjetër për të thënë, sepse më kujtohet shumë mirë. Vajza ka ardhur atë natë me pantallona shumë të shkurtra dhe me kanotiere, pra, ishte shumë e ekspozuar në pjesën e trupit dhe dukej nëse do të kishte shenja.

Dhunë unë nuk pashë, pra, nuk kishte shenja të dukshme dhune në trup. Edhe në kokë, unë nuk është se e pashë me vëmendje, por nuk kishte diçka të dukshme.

Flokët i kishte të kapura apo të lëshuara?

Nuk e mbaj mend këtë detaj. Nuk më kujtohet mirë se si i kishte.

Po avokati ishte aty në zyrë në kohën që ishit ju?

Avokati ka qenë në zyrë, por unë kam shkuar aty para tij. Ai ka ardhur disi më mbrapa.

Po kur dolët nga Stacioni i Policisë, patë persona të tjerë rreth e rrotull?

Po, kur kam dalë, kam parë disa njerëz, por nuk i njihja se kush ishin.

Po personi që vajza kallëzonte, djali i deputetit Rrahman Rraja, ishte aty në atë kohë?

Atë e kam parë vetëm në momentin që ka qenë duke dhënë deklarimin, pasi në atë kohë jam futur unë. Pastaj doli ai, që hyri vajza. Më vonë nuk e di se ku ka qëndruar.

Ndonjë komunikim me vajzën ose me ju pati ai gjatë kësaj kohe? Ka ndërhyrë gjatë bisedës që bënit me vajzën?

Në kohën që unë i kam bërë pyetjen, sepse ka qenë koha pak e shkurtër, sepse duhet të dallojmë kohën kur unë i kam bërë pyetjen dhe kohën kur i ka bërë pyetjet Çitozi dhe për pjesën e atij përgjigjet ai, por për kohën që unë i kam bërë pyetje vajzës, prezente aty ishim vetëm ne të dyja.

Pra, unë dhe vajza. Por, se çfarë ndodhte jashtë, nuk përgjigjem dot për pjesën që i takon Çitozit. Ai mund të ketë komunikuar me të tjerë, por për këtë pjesë nuk mund të përgjigjem unë. Përgjigjem vetëm për atë pak kohë që e kam pyetur unë, që mund të ketë qenë një 10-minutësh.

Kur dolët nga Stacioni i Policisë, dolët bashkë me vajzën apo veçmas?

Kemi dalë të gjithë veç e veç. Unë kam menduar se vajza mund të ketë qenë e shoqëruar me ndonjë familjar. Nuk i dija rrethanat se si kishte ardhur aty.

Në fakt, vajza kishte familjarë aty prezentë?

Nuk e di fare të them të drejtën. Nuk e pyeta për këtë pjesë.

Ju thatë se ishit e shoqëruar me babanë në kohën që shkuat aty apo jo?

Po, me babanë. Por, ai është shkëputur pak. Ka ikur për një moment në shtëpi dhe pastaj ka ardhur që më ka marrë.

Ju banoni në atë zonë?

Po, banoj në Fushë-Krujë.

Jeni psikologe e Gjykatës së Krujës?

Jo, unë jam psikologe shkollore. Kam qenë më parë edhe psikologe gjyqësore, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, por si asistuese e të miturve në Polici. Në fillim kam vajtur për nxënësit e mi. Pastaj, ata kishin numrin tim dhe më kanë telefonuar edhe herë të tjera.

Dhe unë, në fakt, u jam përgjigjur oficerëve të Policisë, pavarësisht se nuk isha e emëruar aty, ndonjëherë më kanë marrë edhe jashtë orarit, në kohën kur isha me pushime, siç ishte edhe rasti, për të cilin biseduam.