E fundit/ Mbërrin legalizimi (Sanatoria): lejeqëndrim për të punësuarit në bujqësi e pranë familjeve

1275
0

Lajmi qe te gjithe prisnim erdhi/ Legalizim për të punësuarit në të zezë në bujqësi e pranë familjeve dhe lejeqëndrime të përkohshme për të gjithë ata që u ka skaduar e nuk kanë mundur ta përtërijnë.
Ja çfarë parashikohet në dekretin Rinisja të miratuar dje nga qeveria italiane

Romë, 14 maj 2020 – Për të gjithë ata migrantë që jetojnë e punojnë në Itali pa pasur të drejtën e qëndrimit, pas shumë fjalëve, më në fund një lajm i mirë: në dekretin Rinisja parashikohet, e zezë mbi të bardhë, edhe legalizimi i tyre. Kjo masë u kërkua me forcë nga ministrja e Bujqësisë Bellanova, sipas të cilës, “këtej e tutje “të padukshmit” nuk do të jenë më të tillë; nga sot fiton shteti që është më i fortë se kriminaliteti e kaporalati”. Për ministren e Brendshme Lamorgese, përfshirja e sanatores për të huajt në dekretin Rinisja është shprehje e synimit të qeverisë “të garantojë dinjitetin e njerëzve, mbrojtjen e ligjshmërisë dhe nevojat e tregut të punës”.

“Për të siguruar nivele të përshtatshme të mbrojtjes së shëndetit individual dhe kolektiv, në përputhje me emergjencën shëndetësore të jashtëzakonshme dhe për të inkurajuar legalizimin e marrëdhënieve të parregullta të punës – thuhet në deklaratën e Këshillit të Ministrave të lëshuar pas miratimit të Dekretit Rinisja – punëdhënësit mund të paraqesin një kërkesë, për të lidhur një kontratë pune me shtetas të huaj të pranishëm në territorin kombëtar ose për të deklaruar ekzistencën e një marrëdhënie pune të parregullt, akoma në vazhdim, me shtetas italianë ose të huaj. Për të njëjtat qëllime, shtetas të huaj, me leje qëndrimi skaduar më 31 tetor 2019, mund të kërkojnë një leje qëndrimi të përkohshëm, e vlefshme vetëm në territorin kombëtar, që zgjat gjashtë muaj nga paraqitja e kërkesës”.

Çfarë parashikohet konkretisht

Sipas bocës së fundit të botuar dje nga Repubblica.it, legalizimi i të huajve përmblidhet i gjithi në një nen me 20 paragrafë të dekretit Rinisja.

Në tekst shkruhet se të gjithë punëdhënësit që, për të përballuar emergjencën shëndetësore, kanë punësuar në të zezë shtetas të huaj me qëndrim të parregullt mund të kërkojnë legalizimin e marrëdhënies së punës dhe pajisjen me lejeqëndrim të të huajve kundrejt lidhjes së një kontrate të varur pune. Kjo masë është e vlefshme edhe për legalizimin e punës së padeklaruar për punëtorët italianë, të punësuar më parë në të zezë. 

Do të mund të përfitojnë nga kjo sanatore të gjithë ata që janë identifikuar nga forcat e rendit të pranishëm në Itali para 8 marsit 2020 ose që kanë mundësi të tregojnë se jetojnë në Itali që para kësaj date.

Sektorët ekonomikë

Masa e legalizimit të qeverisë do të aplikohet për punonjësit në sektorët: bujqësi, mbarështrim, blegtori, peshkim e akuakulturë, asistencë për përsona me sëmundje ose aftësi të kufizuara dhe punë shtëpiake.

Lejeqëndrimi i përkohshëm

Të gjithë të huajt që kanë një kejeqëndrim të skaduar nga 31 tetor 2019 e këtej, të papërtërirë e të pakonvertuar, të pranishëm në Itali më 8 mars 2020, që kanë kryer më parë punë në sektorët profesionalë tek të cilët aplikohet legalizimi, mund të kërkojnë një lejeqëndrim të përkohshëm për kërkim pune, të vlefshëm për 6 muaj e vetëm për territorin italian.

Nëse para skadimit të këtij lejeqëndrimi lidhin kontratë pune – gjithnjë në sektorët që përfitojnë një ky legalizim – mund ta konvertojnë në lejeqëndrim për punë të varur.

Paraqitja e kërkesës së legalizimit

Të gjitha kërkesat duhet të paraqiten nga 1 qershori deri më 15 korrik, me mënyra që akoma nuk janë përcaktuar e për të cilat do të vendosin ministritë e Brendshme, e Ekonomisë, e Punës dhe e Bujqësisë.

Në rastin kur kërkesën e legalizimit e paraqet punëdhënësi, duhet të paguajë një shumë prej 400€ për çdo punonjës. Nëse është i huaji që bën kërkesë për lejeqëndrimin e përkonshëm duhet të paguajë 160€.

Nuk përfitojnë nga dekreti

Do të hidhen poshtë të gjitha kërkesat e punëdhënësve të dënuar më parë për favorizim të imigracionit klandestin apo skllavërimit, për ndërmjetësim të paligjshëm dhe shfrytëzim të punës. Do të konsiderohen të pavlefshme edhe kërkesat që nuk pasohen nga lidhja e kontratës së rregullt të punës.

Nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë nga ky legalizim të huajt që kanë marrë dekret dëbimi, janë dënuar për vepra penale të parashikuara nga neni 380 i kodit penal, për krimet kundër lirisë individuale, oër trafik lëndësh narkotike, për shfrytëzim të prostitucionit, për favorizim të migracionit të paligjshëm.

Natyrisht do të hidhen poshtë të gjitha kërkesat që deklarojnë fakte të rreme.

K.B./Shqiptari i Italisë